
Shishe plastike, fuçi të ndryshkura, madje dhe lavatriçe të vjetra gjenden ndër tonelatat e plehrave që bllokojnë lumenjtë e Bosnjës, dikur të famshëm për ngjyrën e tyre të smeraldtë dhe ujërat e pastra si kristali.
Në lumin Drina që rrjedh përmes Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës tonelata të tëra plehrash kanë ngecur, duke formuar ishuj të mëdhenj që lundrojnë në sipërfaqen e ujit.
Banorët thonë se mbi 800,000 tonë plehra janë nxjerrë jashtë lumit Drina çdo vit.
Në tërë rajonin, nuk ka shoqëri riciklimi, prandaj plastiket dhe plehrat e tjera që hidhen në lumenj, qëndrojnë aty, duke krijuar bllokime të rrjedhës së lumit.
Ministrat e Mjedisit të Bosnjës, të Serbisë dhe të Malit të Zi u takuan në prill dhe premtuan të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin.
Lënë harresë gjatë luftës dhe krizave të viteve ’90, problemi i menaxhimit të mbetjeve është rritur ndër vite, duke arritur përmasa alarmuese në një rajon ku papunësia dhe varfëria janë kudo dhe ku korrupsioni e pengon vazhdimisht zbatimin e reformave të ligjit.
Aktivistët dhe banorët kanë pak besim që do të ndodhë ndonjë përmirësim tani së afërmi, duke qenë se menaxhimi i mbetjeve kërkon vite të tëra planifikimi dhe investime të mëdha. /sipas EuroNews, përgatiti Erina Çoku/



