
Zbardhen detaje të tjera në lidhje me vrasjen e dy shqiptareve dy ditë më parë në Zvicër. Ngjarja ndodhi në Hausen të kantonit Aargau, ku R.B. 54 vjeç, nga Kosova, vrau dy bashkëshorten, Alma 38 vjeçe, dhe motrën e saj, Elda, 31 vjeçe.
Familjarët thonë se Alma jetonte në Francë, por kishte shkuar t’i kalonte pushimet e Vitit të Ri te motra e madhe. Policia ende nuk ka dalë me versionin e saj zyrtar rreth identitetit të viktimës së dytë dhe as lidhur me rrethanat e vrasjes. Por bashkëshorti i Almës i ka thënë portalit Blick.ch se motra e gruas së tij është dhunuar vazhdimisht nga i shoqi (vrasësi i dyshuar). Ai e kishte penguar të socializohej në Zvicër dhe e kishte bërë disa herë për spital.
Një person tjetër i ka thënë portalit Albinfo.ch, se e ka njohur autorin e vrasjeve dhe duke ditur natyrën e tij, ngjarja nuk e ka habitur. Sipas tij, B.R.,nga Kosova, ka qenë pensionist invaliditeti dhe me gjendje jo të mirë financiare e sociale. Ai ka qenë edhe më herët i martuar me grua nga Kosova, ndërsa Alma 38 vjeçare nga Shqipëria ishte gruaja e dytë e tij. Çifti kishte tre fëmijë: dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë 14-vjeçar.
Policia dyshon se vrasjet janë kryer në gjaknxehtësi e sipër, pasi gjithçka ka ndodhur në kuzhinë dhe arma është një thikë.
Mediat vendase kanë raportuar se tre fëmijët e mbetur pa nënë dhe me babanë e burgosur janë dërguar në një qendër fëmijësh në Brugg.



