
Vetëm pak orë pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, Serbia i kërkoi EULEX-it përfshirjen e saj në hetime. Serbia e ka dërguar kërkesën në Zyrën e BE-së në Beograd, por zyra e EULEX-it ka konfirmuar se janë autoritetet vendore ato që marrin vendimin në lidhje me lejimin apo jo të Serbisë në këto hetime.
EULEX ka bërë të ditur se nuk merr vendime të kësaj natyre, por që kjo është detyrë e autoriteteve vendore kosovare.
“Misioni i EULEX-it nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç”, ka qenë përgjigja e zyrtarëve të EULEX-it pas interesimit të gazetës “Express”.



