Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje që Europa të ketë një ushtri të përbashkët.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih ai tha se ka ardhur koha që të formohen forcat e armatosura të Europës, teksa u kërkoi liderëve të kontinentit që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
Zelensky theksoi se vetëm forcat e armatosura të Ukrainës, nuk mjaftojnë për Sigurinë.
“Teksa ne luftojmë dhe hedhim bazat për paqen dhe sigurinë, ne duhet të ndërtojmë Forcat e Armatosura të Evropës, në mënyrë që e ardhmja e Evropës të varet vetëm nga evropianët.
Presidenti ukrainas kërkoi sërish unitet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara përballë kërcënimit që paraqet agresioni rus.
Sipas tij, inteligjenca ukrainase sugjeron se Rusia po dërgon trupa në Bjellorusi, duke lënë të hapur një mundësi për sulm ndaj një tjetër vendi europian.
Zelensky theksoi se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që bëhet pas shpinës së saj dhe shtoi se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të përfshijnë anëtarësimin në NATO.
Ndërsa pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë po i afrohet tre vjetorit të tij, Trump dhe Hegseth kanë thënë të dy se nuk ka gjasa që Ukraina të bashkohet me NATO-n.
Sekretari amerikan i mbrojtjes tha gjithashtu se një kthim në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 ishte jorealist. Vetë Zelensky tha se ai "nuk do ta hiqte nga tavolina anëtarësimin e Ukrainës në NATO".



