
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë lidhur me masat e sigurisë ndaj ndaj Dedan Gjonit, Besmir Muratit, Bujar Ajetit dhe Erzen Breçanit. Kësisoj këta të fundit të vazhdojnë të qëndrojnë në “arrest në burg”. Kujtojmë që në 20 nëntor SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste ndaj një grupi të strukturuar kriminal, duke ekzekutuar 5 prej tyre.
Arrestimet erdhën pas zbërthimit të komunikimeve nga autoritetet franceze nga aplikacioni enkriptuar Sky ECC. Prokuroria e Posaçme më herët do të shprehej se është provuar se anëtarët e grupit kanë trafikuar 931 kg kokainë në katër episode, në Brazil, Holandë dhe Gjermani.
Në njoftimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit thuhet:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 04.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 61 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim B.M., B.A., D.Gj. dhe E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 128, datë 23.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e vendimit nr. 124, datë 17.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate;
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.



