Jo shumë larg qendrës administrative të Thumanës, në fshatin Borizanë, familja Leka me tre anëtarë përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha jetese. Në këtë familje jeton Sadri Leka, 58 vjeç, i cili vuan nga probleme të rënda mendore dhe është i paaftë për të ecur.
Prindërit e tij, Islam Leka, 83 vjeç, dhe Sania Leka, 77 vjeç, janë gjithashtu të moshuar dhe me probleme shëndetësore, çka e bën thuajse të pamundur përkujdesjen e duhur për djalin e tyre. Ata shprehen se ndihma financiare që marrin nuk është e mjaftueshme, pasi vetëm shpenzimet mujore për medikamente arrijnë rreth 200 mijë lekë të vjetra.
Familja ka kërkuar ndihmë pranë Qendrës Administrative Borizanë, duke tentuar të takojë edhe kryetaren znj. Griselda Mana, por pa sukses. Pas paraqitjes së një kërkese për informacion nga emisioni Xhadat, Bashkia Krujë ka reaguar duke bërë të ditur se Zyra e Shërbimit Social ka kryer një vizitë në terren më 19 mars 2026. Sipas përgjigjes zyrtare, rasti i Sadri Lekës është referuar tek institucionet përkatëse, është njoftuar mjeku i familjes dhe është nisur procedura për aplikim në skemën e ndihmës ekonomike.
Ndërkohë, një tjetër histori që lidhet me pasojat e tërmetit të vitit 2019 vjen nga zona e Kurbinit. Banesa e Gëzim Paja në fshatin Gjorët të Laçit u dëmtua nga tërmeti, dhe gjatë procesit të rindërtimit u evidentua se në të njëjtën banesë jetonin dy familje: ajo e Gëzim Pajës dhe ajo e Aurel Pajës.
Pavarësisht se Aurel Paja jeton prej vitesh si njësi më vete me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ai nuk kishte marrë asnjë përgjigje të qartë nëse përfiton apo jo një banesë nga programi i rindërtimit. Pas kërkesave të vazhdueshme dhe publikimit të rastit në media, familja më në fund ka marrë një përgjigje nga Bashkia Kurbin.
Sipas saj, familja Paja përfiton banesë, bazuar në vendimin nr. 102, datë 21.12.2022 të Këshillit Bashkiak. Bashkia ka bërë gjithashtu kërkesë për fonde pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vijuar me procedurat e mëtejshme.



