FactCheck zbardh dosjet: Si vranë të miturit shokët e shkollës, lagjes dhe qyteteve ku jetojnë

FactCheck zbardh dosjet: Si vranë të miturit shokët e shkollës, lagjes dhe qyteteve ku jetojnë

Rivaliteti për të dashurat dhe konfliktet në rrjetet sociale rezultojnë si shkak i vrasjes së Fatjon Bicit në Gramsh, Stivi Toshkezit në Tiranë, Grei Bihucit në Fier dhe Aurelio Dervishit në kryeqytet. Emisioni “FactCheck” zbardh dosjet e krimeve, deklarimet dhe rrëfimet se si pas krimit të miturit janë penduar.

“FactCheck” sjell një kronologji të vrasjeve mes të miturve nga oborri i shollës në Gramsh ku në 16 maj 2023 u vra Fation Bici, deri tek krimi i mbrëmjes së 31 marsit 2024 ku për xhelozi dhe raportet intime të të miturve u vra Aurelio Dervishi.

Të arrestuar për vrasjen e kryer në bashkëpunim janë: Ergi Karaj, i datelindjes 22.04.2008, Stiven Murati, i datëlindjes 16.12.2007, Orgito Carçiu, i datëlindjes 20.01.2009,  Xhonatan Cekrezi, i datëlindjes 02.10.2008, shokë të një klase nga shkolla “4 Dëshmorët”.

Kjo është dëshmia e Ergi Karaj para hetuesve: “Më datë 16.05.2023, shkova në shkollën "4 Dëshmorët"', në fshatin Drizë, si zakonisht, së bashku me tre shokë e mi të cilët quhen Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi dhe Horgito Çarçiu. Që të katërt ne, para tre muaj më parë jemi zënë tek fusha e lodrave, tek makinat elektrike në qytetin e Gramshit, me një grup djemsh ku nga grupi tjetër njoh shtetasin Qetësor Hysa. Kur kemi qenë tek fusha e lodrave jemi sharë me njëri-tjetrin, gjithashtu edhe herë të tjera kur jemi shkëmbyer jemi sharë. Konfliktin më shumë Qetësori e kishte me Horgiton. Ndërsa dy ditë më parë, së bashku me tre shokët e tij, Xhonatanin, Horgiton dhe Stiven vendosëm që të shkonim të takonim Qetësorin dhe shokët e tij që ta sqaronin një herë e mirë këtë muhabet. Horgito me vete kishte marrë një dorezë hekuri ngjyrë gold, Xhonatani kishte marrë me vete një dorezë hekuri ngjyrë gold, ndërsa unë kisha marrë me vete një thikë që hapej me buton, të cilën e bleva në internet për 1000 lekë të reja dhe një palë dorashka boksi ngjyre të zeza, ndërsa Stiven kishte marrë me vete thikë që hapet me dorë dhe një dorezë hekuri.  Pas shkolle, Horgito, Stiven dhe Xhonatani morën një makinë dhe erdhën në qytetin e Gramshit, ndërsa unë shkova më pas. Të katërt jemi takuar përpara vendit të quajtur Kosturi në Gramsh, ku pasi u takuam u nisëm për tek shkolla "Asllan Shahini". Kur arritëm aty, pamë Qetësorin bashkë me shokët e tij, ku mund të ishin shumë persona. Sapo janë afruar, Horgito ka filluar të flasë me Qetësorin për të sqaruar debatin, ndersa njëri nga djemtë që ishte me Qetësorin, ka sharë nga robt. Personin që shau se njoh, por ishte me flokët kaçurrela. Personi me flokët Kaçurrela më goditi në fytyrë me gursht dhe në atë moment nuk u mendova gjatë pasi mu errësuan sytë dhe me dorën e djathtë, nxora nga xhepi thikën me buton me hapje ngjyrë gri, me te cilēn godita personin me kaçurrela. Se kujtoj ku e kam goditur, nga grupi tjetër dikush goditi edhe Stiven me grusht në bark dhe u shpërndamë ne nga gjykata dhe ata nga Shkolla deri sa ne na kapi policia tek lumi.

Stiven Klodian Murati: “Jam nxënës i shkollës "4 Dëshmorët" në fshatin Drizë, Bashkia Gramsh. Më dt.16.06.2023 pasi mbarova mësimin rreth orës 13:00 bashkë me shokët Xhonatan Çekrezi dhe Orgito Çarçiu jemi nisur për në qytetin e Gramshit me makinën e profesor Erjol Bici dhe pasi kemi zbritur tek vendi i quajtur stacioni i autobusëve, u nisëm në drejtim të shkollës "Asllan Shahini", ku na priste shoku ynë Ergi Karaj. Sepse para dy ditësh kishim vendosur që të shkonim për të sqaruar një konflikt me një grup djemsh nga lagja "Sporti" me të cilët ishte zënë Xhonatani me Orgiton. Para se të niseshim për në Gramsh, morëm me vete thika dhe doreza, ku unë kisha një dorezë ngjyrë gold, Xhonatani kishte një thikë të vogël, Orgito kishte një dorezë ngjyrë gold dhe një thikë flutur. Kur arritëm afër shkollës pamë një grup djemsh nga të cilët nuk njihja asnjë, por di vetëm që njëri prej tyre quhej Qetsor sepse këtë fakt ma ka thënë Orgito. Pashë Ergin, i cili ishte ulur tek stolat. Sapo Ergi i ka parë ata, ka veshi dorashkat, është çuar nga stoli, ka nxjerrë nga xhepi një thikë me ngjyrë të bardhë dhe blu e cila hapej me anë të një butoni dhe i është drejtuar grupit të djemve duke ju thënë "kush kishte sherr me Orgiton". Ndërkohe Orgito po përpiqej të sqaronte muhabetin me Qetsorin. Pasi folën pak erdhi një djalë me flokët kaçurrela dhe ju drejtua Ergit duke i thëne "pse e nxore thikën apo për presion" dhe e shau Ergin, ndërsa Ergi ju kthye duke e goditur me thikë diku në pjesën e barkut, ndërsa mua më erdhi një djalë tjetër, i cili më gjuajti me grusht në bark dhe ju kundërpërgjigja me grusht sepse dorezën e kisha në xhep. Në atë moment pashë Ergin, i cili po përpiqej të gjuante një djalë tjetër me thikë por ky i fundit është larguar duke vrapuar. Më pas, mora Ergin dhe i thashë "Hajde çfarë bën ashtu" dhe u larguam me vrap në drejtim të Urës së Trashovicës. Gjatë rrugës Ergi më tregoi thikën e gjakosur, të cilën deklaron se nuk ja kishte vënë re, duke më thënë "më duket se i gjuajta atij çunit". Ishim duke ikur anës lumit që të dilnim te rruga erdhi policia dhe na kapi pa dalë në rrugë.

Orgito Edmond Carçiu: “Më datë 16.05.2023, shkova në shkollën "4 Dëshmorët", në fshatin Drizë, si zakonisht. Kam tre shoke të cilët quhen Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi dhe Ergi Karaj, ku jemi në të njëjtën klasë me Xhonatan Çekrezin. Të katërt, rreth tre muaj më parë, jemi zënë tek fusha e lodrave tek makinat elektrike në qytetin e Gramshit, ku nga grupi tjetër njoh shtetasin Qetësor Hysa. Kur ishim tek fusha e lodrave jemi sharë me njëri-tjetrin me djemtë e grupit tjetër. Edhe herët e tjera kur jemi shkëmbyer me ta, jemi sharë gjithashtu. Ndërsa dy ditë më parë së bashku me tre shokët e tij, Xhoantani, Ergi dhe Stiven vendosëm që ditën e sotme te shkonin ta takonim Qetësorin dhe shoket e tij që ta sqaronin një herë e mirë këtë muhabet. Me vete kisha një dorezë hekuri ngjyrë gold, e kisha marrë që në mëngjes në shkollë, edhe Xhonatani kishte marrë me vete një dorezë hekuri ngjyrë gold, ndërsa Ergi kishte marrë me vete thikë që hapej me buton dhe një palë dorashka boksi ngjyrë të zezë të cilat i kishte të vetat, ndërsa, Stiven kishte marrë me vete thikë që hapet me dorë dhe një dorezë hekuri. Pas shkolle, së bashku me Stiven dhe Xhonatanin morëm një makinë dhe shkuam në qytetin e Gramshit, ndërsa Ergi erdhi më pas. Të katërt u takuam tek Kosturi në Gramsh, dhe u nisëm për tek shkolla "Allan Shahini" dhe kur arritëm atje pamë Qetësorin bashkë me shokët e tij. Sapo u afruam fillova të komunikojë me Qetësorin për të sqaruar debatin, ndërsa njëri nga Çunat e Qetësorit shau Ergin nga ropt e shpisë. Atë person se njoh, por ishte me flokë kaçurrela. Ai goditi Ergin me grusht në fytyrë, pikërisht në këtë moment që ky person goditi Ergin me grusht në fytyrë pashë që Ergi kishte në dorën e djathtë të tij thikën me buton me hapje ngjyrë gri, ku pasi ky person e goditi Ergin me grusht në fytyrë dhe tentoi të largohej atëherë Ergi menjëherë e goditi me thikën në kurriz. Pas këtij veprimi, një nga personat e grupit tjetër ka goditur Stivenin me grusht ne bark. Nuk mbaj mend nëse Stiveni ka goditur njeri apo jo, por pashë vetëm që Stiveni u godit me grusht në bark. Pas kësaj grupi tjetër iku për nga shkolla kurse ne të katërt ikëm për nga gjykata.

Xhonatan Bardhi Çekrezi: “Jam në klasën e tetë  në shkollën "4 Dëshmorët" në fshatin Drizë të Gramshit, ku isha në mësim deri në orën e fundit. Jam në të njëjtën  klasë me Orgito Carçiu, nga fshati Drizë i Gramshit, ku pas mbarimit të mësimit bashkë me Orgiton e lamë që do shkonim në Gramsh, pasi do blinim atlete. Po aty në fshat kemi takuar Stiv Muratin dhe që të tre bashkë jemi nisur me një makinë, të cilës i kemi ngritur dorën dhe i thamë që donim të shkonin në Gramsh. Të tre bashkë I kemi paguar nga 100 lekë të reja shoferit, i cili është mësues në shkollën tonë dhe quhet Erjol Bici. Pasi arritëm në Gramsh, u takuam me Ergi Karaj, i cili ishte duke na pritur. Aty pashë që Ergi mbante në dorë një thikë e cila hapej me buton, gjithashtu edhe Orgito me vete kishte një thikë, ku Ergi kishte folur ne telefon me Stivenin për t’u takuar, ku pasi janë takuar të katërt, jemi nisur për të bërë xhiro në qytetin Gramshit. Duke bërë shëtitje pamë që tek një fushë basketbolli ishin mbledhur disa persona, nga të cilët njihja një person, i cili quhet Qetësor, për të cilin mendoj se e kisha moshatar ose më i madh apo i vogël dhe me të cilin para 5 muaj isha konfliktuar.

Qetësori ishte bashkë me shokët e tij, që ishin shumë persona bashkë. Ata u mblodhën para nesh duke na thëne që "Pse keni ardhur përsëri apo doni të ziheni me ne?". Pikërisht në këtë moment ata filluan që të na godisnin me grushte, ku është bërë një rrëmujë.  Godita vetëm një me grusht, por nuk arrita ta shoh cilin prej tyre pasi ishin shumë veta. Pas kësaj u largova me vrap dhe pas meje erdhën edhe shokët e mi. Dorezën e hekurit e kisha marrë me vete pasi më thanë shokët që do t’i merrnin e mora edhe unë. Familjes nuk i tregova për të sharat dhe konfliktin me Qetësorin dhe shokët e tij pasi mendova se nuk do më shqetësonin më pasi unë s’u kthehesha.

Raporti i dashurisë dhe xhelozia se kujt i takonte “Fiona” rezulton nga hetimet paraprake të policisë së shtetit dhe prokurorisë si shkaku i ngjarjes tragjike e cila mëngjesin e 18 prillit, natës së Kadrit i mori jetën të riut Stivi Toshkësit.

Këta janë tre të rinjtë, Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze të arrestuar për krimin e rënda dhe viktima Stivi Toshkësi me profesion montazhier pranë një media kombëtare në vend.

“FactCheck” ka mundur të sigurojë pamjet e përleshjes së katër të rinjve mes tyre viktimës Toshkësit, shokut të tij Joni Ndrinos dhe autorit të krimit Axel Hoxhaj dhe bashkëpunëtorit të tij Ensi Maze. Në dosje thuhet se fillimisht shtetësja me iniciale F. e cila ka marrë mesazhin me përmbajtjen “Sa e bukur je bërë, ndahu nga i dashuri se të dua unë”.

Këtë mesazh rezulton se F ja ka treguar të ndjerit Stiven Toshkësi me të cilin kishte një raport intim dhe ai i ka thënë nëse Murataj të shkruan sërish më thuaj.

Pas kësaj situate Stiven rezulton se i ka dërguar Arbër Murataj mesazh duke i shkruar “mos e ngacmo më F”.

Ky komunikim rezultoi fatal pasi pas kësaj përgjigja që ai të merrte nga Arbëri ishte “Po je burrë eja më tako dhe mos më shkruaj”.

Stiven është takuar me Muratajt, dhe ky takim sipas deklarimeve të të dashurës së tij dhënë për hetuesit ka përfunduar me plagosjen e viktimës me thikë në bark plagë të cilën ajo ja ka parë Stiven dhe dhunimin e të dashurit të saj nga ish shoku i klasës së saj.

Kjo ngjarje e ndodhur disa kohë para mesnatës së 18 prillit moment ku rezulton se ka futur në konflikt dhe dy djemtë e tjerë një të arrestuar e një në kërkim, por pa zbardhur ende motivin pasi konflikti i parë ishte me shtetasin Arbër Murataj.

 

Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. Grei Bihuci, 20-vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari Florjan Muka, i cili u arrestua nga policia.

20-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.

Sipas hetimeve sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohë mësohet se 20- vjeçari që ka ndërruar jetë, pasdite punonte kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.

Dy kushërinjtë, Florian dhe Klajdi Muka, u shoqëruan nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Fierit, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gjyqtari Noel Veizi pranoi kërkesën e organit të akuzës dhe caktoi “arrest në burg” për adoleshentët të cilët përballen me akuzën e rëndë të vrasjes së kryer në bashkëpunim.

 

Më datë 31.03.2024, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës në Tiranë, si pasojë e një konflikti të çastit mes disa shtetasve që lëviznin me dy automjete, (të cilët më pas janë konfliktuar fizikisht me mjete prerëse), është goditur me mjet prerës shtetasi A. D., 18 vjeç.

Si pasojë e dëmtimeve të marra Aurelio Dervishi, ka marrë plagë thike dhe nuk ka mundur që të mbijetojë duke ndërruar jetë rrugës për në spital.

Sipas dëshmisë së 16-vjeçarit, teksa palët po konfliktoheshin fizikisht, njëri prej djemve që ndodhej në makinën Audi (me të cilën udhëtonte dhe viktima) iu drejtua me fjalët “do të të kap me shpulla”.

Ndërsa një tjetër i goditi me levën e gomave, që sipas dëshmive në dosjen hetimore, ky persona ka qenë viktima. Në këtë moment, 16-vjeçar tregon se teksa po konfliktohej, nxori nga xhepi thikën dhe goditi 18-vjeçarin Aureljo Dervishi nga ana e majtë në zonën e barkut.

Pas këtij momenti, ai u largua me vrap në anën tjetër të rrugës, ndërsa 3 shokët e tij u futën në makinë dhe u arratisën nga vendngjarja.

Në skenën e krimit mbetën vetëm personat që udhëtonin me makinën Audi dhe 18-vjeçari i shtrirë përtokë, i cili ndërroi jetë më vonë si pasojë e goditjes me thikë.

Në dëshmi, ajo ka thënë se ishte njohur me 21-vjeçarin Frensi Shehi prej 1 muaji përmes personave të tjerë dhe kishin shkëmbyer numrat e telefonit dhe rrjetet sociale. Më pas e kishte ndërprerë komunikimin me të pasi nuk ishte e interesuar për të krijuar lidhje me 21-vjeçarin. Kur nisi sherri mes dy grupeve, E.A. ishte e ulur në sediljen e parë të makinës.

“Sapo kaluam semaforin, Frensi Shehi doli para rrugës me makinën e tij të ndaluar dhe iu afrua te xhami R.F. (shoferit të Audit) duke e pyetur përse po qeshnin me të dhe shokët e tij. Gjatë kësaj kohe, kanë dalë nga mjeti R.F., Aureljo Dervishi dhe I.I., dhe kanë filluar të debatojnë. Ka qenë shtetasi Frensi Shehi që ka filluar sherrin duke shtyrë R.F., ndërsa Aureljo Dervishi dhe I.I. kanë shtyrë dy personat e tjerë që ishin me Frensin. Gjatë goditjeve, dëgjova Frensin të thoshte “thika, thika” dhe ka parë Aureljo Dervishin të shkonte pranë bordurës së rrugës dhe dy shokë të Frensit. Më pas pashë Aureljo Dervishin në tokë dhe dy shokët e Frensit që janë futur në makinën me të cilën u larguan”.

Edhe shoqja tjetër e viktimës, A.S., ka treguar të njëjtën dinamikë për ngjarjen si shoqja e saj E.A.

“Aureljo Dervishi ka shkuar tek bagazhi i mjetit dhe ka marrë një levë me të cilën ka tentuar të godiste personat e grupit tjetër por leva nuk ka goditur asnjërin prej tyre. Njëri nga grupi tjetër ka marrë levën dhe ka gjuajtur Aureljo Dervishin. Kur po goditeshin, dëgjova një person të thoshte “nxirre thikën” dhe aty pashë një person të moshës rreth 16-17 vjeç me biçak, i cili ka goditur dy herë në drejtim të Aureljo Dervishit. Aureljo u largua disa metra dhe kur kishte shkuar tek korsia e biçikletave ka tentuar të mbahet, por ishte shembur në tokë. Shkova pranë Aureljo Dervishit për ta pyetur, por ai nuk përgjigjej. Për një moment humba ndjenjat erdha në vete si pasojë e ujit që më hodhi në fytyrë një grua”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy