Pedagogu në Institutin e Studimeve Europiane dhe teologu Ermir Gjinishi tha në emisionin "Zonë e Lirë" se SHBA është sot më pranë goditjes së centralit bërthamor në Fordo në Iran, i cili ndodhet në një reliev të vështirë dhe të paktën 850 metra nën tokë.
Gjinishi vuri në dukje se edhe nëse goditet me bombën GBU 57 që është më e fuqishmja e mundshme dhe posedohet nga SHBA, do jetë e vështirë të shkatërrohet impianti nga brenda, por mund të shkatërrohet hyrja në impiant. Megjithatë Gjinishi shton se nuk dihet sa porta hyrëse mund të ketë impianti në fjalë.
“Kemi një intensitet të madh në kancelaritë e mëdha diplomatikë. E zëmë që SHBA godet. Në Fordo janë përqendruar të gjitha forcat, për të shkatërruar impiantin, që Irani mos ketë mundësi për armë bërthamore, dhe e dyta rrëzimi i regjimit. Jemi më afër goditjes së SHBA, se sa mos goditjes. Centrali është më i vështiri nga të gjithë sepse është brenda maleve, që janë granit. Është 850 metra poshtë dhe s’është pingul, është majtas djathtas. Nëse do përdoret GBU 57 duhen më shumë se 10 bomba, nëse është pingul, por s’është pingul. Me pak fjalë nuk shkatërrohet impianti brenda, por mund të shkatërrohet hyrja në central. Por sa hyrje ka?! Edhe duke përdorur GBU 57 s’ka shans që të shkatërrohen plotësisht aftësitë nukleare të Iranit”.
Gjinishi shtoi se nëse SHBA ndërhyn në konflikt ka frikë se mund të hyjmë në një luftë botërore. Ai vuri në dukje se regjimi i Ajatollahëve në Iran nuk rrëzohet pa këmbësori, pra trupa në terren.



