Rusia nuk ka vendosur asnjë masë sigurie shtesë për të mbrojtur presidentin Vladimir Putin pas atentatit ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Fico u qëllua disa herë në distancë të mërkurën teksa përshëndeti mbështetësit e tij në qytetin e vogël Handlova, rreth 150 km në lindje të kryeqytetit, Bratislavë. Autoritetet lokale kanë thënë se kryeministri do t’i mbijetojë sulmit pavarësisht plagëve të rënda.
Ministri i Brendshëm sllovak Matuss Sutaj Estok deklaroi se fajtori, i identifikuar më herët nga mediat lokale si 71-vjeçari Juraj Cintula, nuk ishte dakord me disa nga politikat e Ficos, duke përfshirë vendimin për të ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë.
Përpjekja për vrasje shkaktoi një vale reagimesh nga të gjitha anët e botës, ku edhe Putini iu bashkua korit duke thënë se ishte "i indinjuar" kur mësoi për këtë incident "të neveritshëm" . Ai shprehu gjithashtu shpresën se guximi dhe shpirti i fortë i Ficos "do ta ndihmojnë atë të përballojë këtë situatë të vështirë".
Duke komentuar masat paraprake të sigurisë rreth Putinit, Peskov tha për kanalin Shot Telegram se ato "mbeten në të njëjtin nivel". “Masat që duhen marrë për të garantuar sigurinë e presidentit janë në vend,” shtoi ai.



