
Gazetari i ekonomisë Lorenc Gabeta tha në studion e emisionit “MCN Economy” se në dokumentin që përcaktohen rregullat e reja për kreditë e shtëpive i kushtohet një vëmendje e madhe luftës kundër pastrimit të parave.
Duke vijuar më tej në shpjegimin e tij, Gabeta tha se këto rregulla të reja fokusohen në dy shtylla kryesore, tek fakti që kredimarrësit do të japin më shumë të dhëna për veten, dhe së dyti në sistem do të përfshihen dhe pasuritë e paluajtshme që jepen me qira.
E kam parë dokumentin, më bën përshtypje, më shumë sesa pozicioni rregullator i Bankës Qendrore, e shoh një vëmendje të madhe tek rreziku i pastrimit të parave. Saktëson dy momente BSH, pasuritë e paluajtshme rezidenciale, dhe pasuritë e paluajtshme tregtare.
Kredimarrësit do të japin më shumë të dhëna për veten e tyre dhe për ata që kanë mbrapa. Një nga nenet i dedikohet faktit që Banka duhet të kuptojë nëse kredimarrësi e merr kredinë për vete apo për dikë tjetër. Kemi dhe pasuritë e paluajtshme që jepen me qira. Në këtë moment në rregullore kemi dhe përfshirjen e këtij segmenti të tregut. Rama para dy javësh tha se do të fusim nën kontroll dhe AirBnB dhe Booking, e shoh në këtë vazhdë të kryeministrit dhe këtë vendim të BSH për të shtuar kontrollin tek ky segment, pra blerja e pasurisë për qiradhënie.
Nuk besoj se do të ketë një rënie të kredidhënies. Bëhet fjalë për kredinë me kolateral, kredia me kolateral është më e mira, qëndron më mirë.
BSH sheh një garë mes bankave për të dhënë më shumë kredi kolaterale.
Bankat, në emër të dhënies të sa më shumë kredive dhe për të shtuar numrin e klientëve kanë predispozicionin të ulin pak vëmendjen, të mos shohin historikun e klientit, të mos shohin kush është prapa klientit.
Banka Shqipërisë kërkon t’i vërë një mbikëqyrje kësaj konkurrence mes bankave për të dhënë sa më shumë kredi me kolateral.
Bankat nuk e kanë rritur normën e interesit aty ku duhet të ishte.



