Thirrjet për përmbajtje po shtohen përballë intensifikimit të luftimeve rreth spitaleve në Gaza, teksa lufta e shkaktuar nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit Izrael më 7 tetor hyn në javën e saj të gjashtë.
Luftimet e dhunshme midis trupave izraelite dhe luftëtarëve të organizatës islamike vazhduan rreth spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës, më i madhi në territor, raportoi një korrespondent i AFP.
Të premten, Hamasi raportoi 13 të vdekur në një sulm në këtë kompleks ku civilët u përpoqën të strehoheshin, si në spitalet e tjera në territor.
Para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ripërsëriti thirrjet e tij për një armëpushim të premten, duke theksuar se sistemi shëndetësor i Rripit të Gazës është gjunjëzuar.
“Situata në terren është e pamundur të përshkruhet. Korridoret e spitaleve të grumbulluara me njerëz të plagosur, të sëmurë dhe që vdesin, morgje të tejmbushura, operacione pa anestezi", tha Ghebreyesus.
Në total, 20 nga 36 spitalet e territorit nuk janë më funksionalë, sipas agjencisë së OKB-së përgjegjëse për koordinimin humanitar (Ocha), edhe pse numri i të lënduarve rritet çdo ditë.



