Athina ka kundërshtuar një Marrëveshje të Mbrojtjes dhe Sigurisë mes BE-së dhe Tiranës, lidhur me qëndrimin e qeverisë shqiptare mbi çështjen “Beleri”, raporton media greke “Kathimerini”.
BE-ja është në proces të përshpejtimit të procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e treta jashtë unionit me synimin për një bashkëpunim më të mirë në mbrojtje.
Pak ditë më parë u mbajt në Bruksel një takim në nivel teknik, qëllimi kryesor i të cilit ishte lidhja e një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Evropës, përkatësisht Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut.
“Greqia kundërshtoi në lidhje me Shqipërinë, duke këmbëngulur se duke qenë një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të jetë në përputhje me parimet evropiane, që përfshin respektimin e shtetit ligjor si element bazë”, raporton “Kathimerini”.
Në këtë sfond, grekët propozuan Maqedoninë e Veriut si vendin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, pasi sipas Athinës ky vend treguar një performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standardizimi i forcave të armatosura me standardet perëndimore (përmes pjesëmarrjes në NATO) ka ecur me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.
Propozimi grek nuk u pranua, por as çështja e Shqipërisë nuk eci përpara, me gjithë mbështetjen shumë të fortë të italianëve, të cilët janë edhe partneri më i afërt i Tiranës në BE, që është rregullisht burim fërkimi mes Romës dhe Athinës. Lidhur me çështjen Beleri, media greke shkruan se “pas dështimit të konsiderueshëm të kryeministrit shqiptar Edi Rama për të zgjidhur çështjen, autoritetet greke janë duke pritur për të parë deri më 25 janar, kur pritet të mbahet gjyqi ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës”.
“Në prapaskenë, megjithatë, kontaktet vazhdojnë, gjithmonë me kusht që Beleri të betohet në detyrë. Beleri u arrestua majin e kaluar me akuza për blerje votash në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat ai i fitoi”, shton media në fjalë.



