
Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike Erjon Tase deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e sotme lidhet me motivimin e qytetarëve dhe me mobilizimin e pakët nga kampet.
Ai u shpreh se përçarja e të djathtës krijon premisa për fitore më të lehtë të mazhorancës.
Kemi të bëjmë me një proces të zhvilluar jashtë periudhës normale. Që kur u vendos kaq herët në mars, u mendua që do të kishte problematika në orarin e mbylljes së qendrave të votimit, që të bëhen në errësirë. Problematika e Vorës mund të ishte evituar nëse subjekti i PD do kishte informacionin e duhur. Është gjetur një zgjidhje. Për fat të mirë aty ka votim dhe numërim elektronik që do jetë garanci shtesë që komisionerët mund të jenë më pak të ndikueshëm në proces. Pjesëmarrja është e ulët në krahasim me 25 prillin. Ka të bëjë edhe me motivimin. E pamë edhe në fushatë që ishte shumë më pak angazhimi i partive politike. Përçarja që kishte e djathta sjell edhe ndarje të votave dhe krijon premisa për fitore më të lehtë të kandidatëve të mazhorancës. Vjen një stepje e qytetarëve kur ka pak alternativa.



