Etleva Treska, eksperte kontabël, thotë se nuk mund të flitet për fiskalizim, nëse të gjitha bizneset nuk vihen në kushte të barabarta në raport me shtetin. Sipas saj, bizneset online kanë mundësinë t’u shpëtojnë detyrimeve ndaj shtetit, çka krijon pabarazi.
Gjithmonë ne jemi gabim. Jemi të barabartë para ligjit, por shoh se në praktikë ndryshon. Sa biznese online nuk kanë NIPT? Është pabarazi totale dhe mua më thua a e fiskalizove faturën. Duhet të bëhemi të barabartë të tërë dhe pastaj të zbatojmë ligjin.
Treska tha më tej se mungesa e transparencës në lidhje me taksat është një tjetër nxitës për t’iu shmangur atyre.
Asnjë nuk ka për ta besuar këtë shtet nëse nuk ka transparencë. Asnjë prej nesh nuk e di ku shkojnë taksat tona. Nëse shteti bëhet partner me mua dhe me jetën time, jam gati të paguaj taksat.
Treska e vuri theksin te mungesa e konsultimit me grupet e interesit para se një nismë të kthehet në ligj.
Këtu gjërat ndryshojnë ditë për ditë. Ajo që unë shikoj është ata që i hartojnë. Të gjithë janë organe politike. Që në momentin që krijohet, që nuk ka grupe interesi që të diskutohet, atëherë bëhet diçka jo e zbatueshme. Fiskalizimi nuk është vetëm për Tiranën, është për gjithë Shqipërinë. Janë të gjitha këto, që pastaj të kalojmë te detajet teknike.
Treska tha se lidhur me fiskalizimin nevojitet ende kohë, sidomos kur flitet për biznesin e vogël.
Them se duhet vazhduar me këshillimin. Biznesi i vogël jep ndihmesë direkt në familjet shqiptare.



