Deputeti socialist, Baftjar Zeqaj, situatën parlamentare dhe lëvizjet e opozitës i sheh si skenar të Sali Berishës.
Është Berisha dhe vetëm ai që e bën këtë skenar, se grupi i të djathtëve që nuk ekziston nuk kanë një alternativë të shkruar, por kapen pas ndonjë problemi si grupim që mbron demokracinë.
Po të monitorosh të gjithë seancat që kemi bërë, shumicën e kohës kanë folur të djathtët. Nuk mungon e drejta e fjalës në Parlament, kjo është absurde.
Se nëse do mungonin në foltore që s’kanë munguar, mund të flasin siç duan. Ne edhe për çështje etike nuk flasim kur flet ai burri tjetër, apo ajo gruaja nga fronti tjetër.
Por ndryshe po ndodh nga këta që iu është ndërprerë fjala. Ky është skenar i Berishës dhe të gjithë e dimë që është në pikën e tij të vdekjes.
Dhe të tjerët i shkojnë mbas se thonë po na humbën lavjerrësi. Është i njëjti person, siç bëri ‘97-ën, Tropojën, Vlorën.
Ky tani flet se ne na është dhunuar vota. Ky e ka hedhur helmin tek të tjerët, thotë dy fjalë dhe largohet dhe lë këta të tjerët.
Nga studio e MCN Live, Zeqaj deklaroi se i njëjti person vjen sot dhe do të trazojë Shqipërinë, duke filluar nga parlamenti.
Në vijim tha se vetëm deputetët e opozitës po flasin, ndërsa mazhoranca rri në heshtje, edhe kur qëllohet me grusht.
Sa i takon kërkesës së opozitës për komisionet hetimore, Zeqaj shtoi se në logjikën e mazhorancës nuk duhet të ekzistojnë, duke u ndalur tek çështja e inceneratorëve me dëshmi etj., por se në fund vendos drejtësia.
Ndodh një gjë dhe thonë të ndërtojmë komision hetimor. Dakord, por lërja drejtësisë të merret. Çdo deputet ka të drejtë të marrë informacion dhe ta çojë dosjen në Prokurori.
Se duket se nëse ne nuk e pranojmë komisionin hetimor, po fshehim diçka. Pse nuk e fillojnë këta dhe të kërkojnë komision hetimor për çështjen “Partizani”?
Komisioni hetimor është një spektakël pa vlerë, njëri bën prokurorin dhe tjetri gjykatësin, ndaj le t’ia lëmë drejtësisë.
Ndërsa për kryeparlamentaren Lindita Nikolla deklaroi se ndihet në siklet të madh përballë tre grupeve të opozitës, ndonëse njeh ligjërisht grupin e Lulzim Bashës dhe se duhet të ketë tre parti që të ketë tre kryetarë grupi.
Sipas tij, kriza është brenda demokratëve dhe nuk ka pse t’i drejtohet gishti Lindita Nikollës dhe megjithëse kanë rënë dakord të mos provokojnë, ka pasur ironi për PD, por nënvizoi se nuk e përcakton kjo aksionin e opozitës dhe se personalisht nuk bie dakord të ketë fyerje drejt tyre.



