Kujtimi i fatit të tmerrshëm të viktimave dhe të të mbijetuarve nga holokausti është domosdoshmëri, në mënyrë që historia të njihet. Kjo është ajo që pohon Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Peter Japelj për “EuropeIN” dhe Blerina Goce në MCN TV. Ndërkohë, Japelj tërheq vëmendjen edhe për një libër mjaft me rëndësi dhe edukativ të një autori slloven të përkthyer në shqip, i cili vjen si një tjetër dëshmi e periudhës së errët të nazizmit dhe holokaustit.
Peter Japelj, Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri
“Është shumë e rëndësishme organizimi i një ekspozite të tillë për të mbajtur gjallë kujtimin e kësaj periudhe të tmerrshme dhe të fatit të tmerrshëm të gjithë këtyre njerëzve. Ekspozita është e bërë shumë mirë. Në rastin e një ekspozite të tillë nuk mund të thuash "e shijova", por mësova akoma më tepër. Kam parë disa ekspozita të tilla, gjithashtu kam vizituar edhe kampe përqendrimi dhe gjithmonë është diçka shumë e trishtë dhe shokuese. Është diçka që nuk duhet të përsëritet kurrë.”
“Dua të përdor këtë moment të tërheq vëmendjen tuaj në lidhje me një shkrimtar slloven, i cili jeton në Itali dhe që do të festojë 101 vjetorin këtë vit. Ai u mbijetoi kampeve dhe shkroi një libër, një ndër më të rëndësishmit që kemi në Slloveni. Emri i këtij shkrimtari është Boris Pahor dhe titulli i librit të tij është "Nekropoli". Llibri është përkthyer në gjuhën shqipe, kështu që i ftoj të gjithë të lexojnë këtë libër, një libër shumë i mirë, sigurisht jo i lehtë, por është një libër shumë edukativ.”



