
Njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës kanë gjetur një sasi të madhe armatimesh në Zveçan, njëra nga katër komunat me shumicë serbe në veri. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar se ato janë gjetur në “një veturë me targa të Beogradit” dhe “rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit”. Në veturë janë zbuluar sasi të mëdha armatimi, mjete shpërthyese, municione të ndryshme, granatahedhës dore, armë automatike, sasi e konsiderueshme municioni, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake. “Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në Facebook. Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, tha se ky armatim kishte për qëllim që të përdorej për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që janë në veri, përfshirë edhe KFOR-in. “Pas një pune intensive në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës, kanë siguruara informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë grumbulluar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, me qëllim që të përdorin për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që veprojnë në veri të vendit, përfshirë edhe KFOR-in”, ka treguar Hoxha. Në një konferencë shtypi sot në mesditë, Sveçla ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se përmes grupeve kriminale, po tenton ta destabilizojë Kosovën. Ai ka thënë se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që organizatat Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste, në mënyrë që autoritetet e Kosovës t’i luftojnë ato në mënyrë më efikase. Ai ka thënë se pjesëtarë të komunitetit serb, të arrestuar javëve të fundit në Kosovë, janë “kriminelë që në të kaluarën janë toleruar dhe amnistuar”.



