
David M. Herzenhorn
Aspiratat e BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të presin. Liderët e BE-së kanë debatuar ashpër mbi dy vendet e vogla të Ballkanit, por në fund nuk ia kanë dalë të arrijnë një marrëveshje, madje as për një deklaratë të paqartë që inkurajon dhe shtyn vendimin zyrtar.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kundërshtoi me forcë avancimin në bisedimet e anëtarësimit dhe përfundimisht prevaloi mbi liderët e tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilët ishin në favor.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, mbështeti një kompromis të mundshëm sipas të cilit duhet të fillojnë negociatat për Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipëria duhet të presë, por në fund liderët nuk ranë dakord për ndarjen e të dy vendeve.
Udhëheqësit e BE e kishin kushtëzuar perspektivën e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë, një hap që u hodh vitin e kaluar - pjesërisht duke ndryshuar emrin e vendit. Por në fund, shpresat u shuan - të paktën tani për tani - duke i lënë zyrtarët në Shkup të zemëruar dhe të zhgënjyer thellësisht.
Pasi ministrat e BE-së u përpoqën dhe nuk arritën një marrëveshje mbi çështjen e zgjerimit në një takim të Këshillit të Përgjithshëm në fillim të kësaj jave, Tusk e futi çështjen në rendin e ditës për samitin e liderëve, duke shpresuar se do të bënte presion ndaj Macron.
Franca ka përmendur arsyet procedurale për bllokimin e të dy vendeve, duke argumentuar se i gjithë sistemi i pranimit në BE ka nevojë për rregullim. Por Parisi gjithashtu e ka të qartë pikëpamjen e tij se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë të gatshme të fillojnë procesin e anëtarësimit në BE. Përkrahësit e futjes së vendeve të Ballkanit në rrugën e anëtarësimit argumentuan se të dyja vendet i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE-ja dhe se besueshmëria e bllokut do të dëmtohet shumë, pasi ajo nuk arrin të përmbushë premtimet e saj.
Diskutimi mbi zgjerimin e BE-së erdhi në fund të ditës së parë të një samiti të liderëve të Këshillit Evropian, në të cilin BE arriti një marrëveshje për tërheqjen e Britanisë nga Blloku. / Politico.eu /



