
12 muajt e parë të jetës janë ndër periudhat më dinamike dhe vendimtare për zhvillimin e një fëmije. Pikërisht në këtë kohë ndodhin ndryshimet më të mëdha në aspektin fizik dhe motorik të bebes, nga mbajtja e kokës e deri tek hapat e parë.
E ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, fizioterapistja pediatrike Rina Grëmbi foli për rëndësinë e informimit të nënave dhe theksoi një nga gabimet më të shpeshta që ato bëjnë gjatë kësaj periudhe, krahasimin e fëmijës së tyre me fëmijët e tjerë.
Çdo bebe ka ritmin e vet të zhvillimit. Nuk duhet të krahasojmë me të tjerët, sepse kjo vetëm sa shton pasiguritë tek nëna.
Ka rëndësi që nëna të jetë e mirëinformuar dhe të kuptojë se kur diçka është brenda normales dhe kur ka nevojë për vlerësim të mëtejshëm.
Zhvillimi motorik nuk është një proces identik për të gjithë fëmijët dhe ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë lindjen para kohe, tonusin muskulor dhe stimujt mjedisorë.
• 0-3 muaj: Bebet zakonisht fillojnë të mbajnë kokën vetë. Disa mund ta arrijnë këtë më herët, të tjerë më vonë – veçanërisht ata që kanë lindur para kohe.
• 0-8 muaj: Fillon qëndrimi ulur. Ky është një moment që duhet stimuluar me ushtrime dhe pozicionime të duhura, pa e detyruar beben.
• 9-12 muaj: Shumë fëmijë fillojnë të qëndrojnë në këmbë duke u mbajtur pas mobilieve dhe më pas kalojnë në ecje të pavarur. Megjithatë, ecja brenda intervalit 12-18 muaj konsiderohet normale.
Është e rëndësishme që fëmija të tregojë përpjekje për të qëndruar në këmbë vetë. Kur fëmija e ndërmerr iniciativën vetë, tregon që ka dëshirë dhe forcë për t’u ngritur – ne vetëm e ndihmojmë,” – sqaroi ajo.
Nëse pas moshës 12 muajshe një fëmijë nuk përpiqet të ngrihet vetë, nuk tërhiqet pas mobilieve apo nuk shfaq forcë në gjymtyrë, kjo mund të jetë një sinjal që kërkon vlerësim nga pediatri ose një specialist zhvillimi.
Në raste të tilla, bëhet stimulimi i muskujve, sidomos tek shpatullat, për të vlerësuar nëse ka ndonjë kontrakturë apo mungesë tonusi muskulor.
Për Grëmbin, krahasimet nuk ndikojnë vetëm në raportin e nënës me zhvillimin e fëmijës, por edhe në mirëqenien emocionale të vetë nënës.
Viti i parë është sfidues edhe për nënën. Ajo është e ndjeshme, e lodhur dhe ndikon shumë nëse dikush i thotë: 'Pse nuk ngrihet akoma në këmbë?', 'Pse nuk rri ulur?', 'Ti e ke lënë të lirë'. Këto komente sjellin pasiguri dhe faj.
Nje këshilla për prindërit, -mos krahasoni fëmijën tuaj me të tjerët, respektoni ritmin e zhvillimit të bebes suaj, kërkoni informacion të saktë dhe profesionist. Nëse keni dyshime, konsultohuni me pediatrin ose një fizioterapist të specializuar në zhvillimin e fëmijëve.



