VLORË: Reshjet e shiut vijojnë të bien me itensitet në të gjithë vendin, ndërsa autoritetet lokale informojnë mbi situatën e krijuar. Sipas informacioneve të fundit, mësohet se lumi Vjosë ka arrirë në kuotat 7,2 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet janë të mëdha. Problem në zonën e Vlorës mbetet lumi Shushicë, i cili vazhdon të ketë prurje.
FIER: Ndërkohë, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi ka dalë në terren mbrëmjen e sotme në “Urën e Mifolit”, ku është shprehur se edhe pse ka intensitet të lartë të prurjeve nuk ka vend për panik.
Subashi u ka bërë thirrje banorëve të zonës të jenë të kujdesshëm me bagëtitë, ndërsa grupet e emergjencave ndodhen në terren për monitorim të situatës.
GJIROKASTËR: Moti i keq ka bërë që në lagjen Zinxhira në Gjirokastër të dëmtohen shtyllat elektrike dhe të ketë probleme me furnizimin e energjisë. Gjithashtu, autoritetet lokale kanë bërë të ditur se është krijuar problem në qarkullimin e mjeteve si pasojë e rrëzimit të shtyllës. Në terren kanë dalë grupet e punës të OSHEE-së, për të kthyer në normalitet situatën.



