
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oskar 2021 rrezikon të shtyhet. Pandemia e koronavirus nuk të jep mundësinë të mendosh për projekte afatgjata. Edhe se duket se ka një rënie të rasteve në rang global është e vështirë të parashikohet se si do të jetë situata në vazhdimësi.
Shtyrja e këtij eventi të rëndësishëm është bërë e ditur nga Variety dhe faqe të tjera ndërkombëtare, të cilat janë të specializuara për lajme të botës së Hollywood. Burime pranë Akademisë së Filmit, kanë thënë se ka shumë mundësi që ceremonia nuk do të mbahet në shkurt 2021, por nuk kanë dhënë një datë tjetër se kur mund të ndahen çmimet Oskar.
Sipas rregullave një film duhet të ketë një shfaqje shtatë-ditore në kinematë e qarkut të Los Anxhelosit për të marrë të drejtë për një Oskar. Por për këtë vit, në mënyrë të jashtëzakonshme, edhe filmat e shfaqur në mënyrë dixhitale mund të kualifikohen, nëse studiot fillimisht kishin planifikuar një shfaqje të filmit.



