Gazetari Xhevahir Zhabina e sheh zhdukjen e Daniel Shimës të lidhur direkt me hetimet për tenderat e AKSHI-t. Në studion e MCN Informacion, ai tha se rasti i zhdukjes së tij disaorëshe duhet të hetohet nga SPAK dhe jo nga prokuroria e Tiranës.
Shima ka qenë numri dy i AKSHIT që në vite ka tenderuar qindra milionë euro. Person që ka tenderuar procedura për të cilat SPAK ka nisur hetime. Dëshmia e tij në SPAK ka frikësuar persona që kanë vënë firmë në këto tendera. Unë e shoh të lidhur ngushtë me detyrën që ai ka pasur në këtë institucion. Nuk besoj se ka lidhje me të dashurën dhe atë që u tha. Lënia në dorë e kësaj dosjeje një prokurorie si ajo e Tiranës i rëndon pak gjërat. Ky hetim i zhdukjes së tij duhet të merret në dorë nga SPAK. Pas kësaj ngjarjeje edhe nëse ai e ka stisur vetë, raporti i tij me SPAK nuk do të jetë më i njëjti. Mund të kemi një frikësim të tij për dëshminë e radhës. Në këtë këndvështrim e shoh. Por arsyeja pse kjo histori ka kaq shumë tymnajë është mungesa e reagimit nga policia. Njoftimi i policisë erdhi pasi denoncimi i familjarëve u publikua në media.
Zhabina tha se për të zbardhur këtë rast duhet pyetur edhe ish-kryeministri Berisha.
Zoti Berisha bën politikë me këtë dhe askush nuk e ndalon. Por të marrim parasysh se ai ka informacione të detajuara. Unë shoh që prokuroria duhet ta thërrasë zotin Berisha për të pyetur ku i merr këto informacione, që nëse janë të sakta i shërbejnë një hetimi serioz. Duhet të marrë fund përdorimi politik i këtyre ngjarjeve.



