
Të paktën 28 vetë kanë vdekur në Burundi të Afrikës Lindore për shkak të rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga shira të mëdha. Autoritetet lokale njoftojnë se ky numër mund të rritet në vijim.
Një zyrtar lokal flet për 28 trupa që gjenden në Cibitoke, një provincë në veriperëndim të vendit afrikan. Burime ministrore konfirmojnë se dhjetë persona janë të humbur dhe se ka të plagosur, numri i të cilëve nuk është saktësuar ende. Ekspertët thonë se të paktën nëntë vende në rajonin e Afrikës Lindore janë duke përjetuar reshje më të mëdha se zakonisht për shkak të një fenomeni meteorologjik që prek Oqeanin Indian dhe prej të cilit po fryhen lumenjtë në disa zona, duke shkaktuar përmbytje ose rrëshqitje në tokë. Të paktën 130 njerëz vdiqën vetëm në Kenia dhe Uganda. Sipas parashikimeve të fundit të motit të raportuara nga "BBC News Africa", priten edhe dy stuhi tropikale në pjesën lindore të kontinentit.



