
Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, pas përplasjes së raportuar mes përfaqësuesve të kompanisë MABCO, nënkontraktorëve dhe rojeve të sigurisë.
Në një deklaratë të gjatë, Pacolli bën të ditur se, pas muajsh të tërë bllokade dhe uzurpimi të terminalit të aeroportit, përfaqësuesit e MABCO-s dhe kompanitë nënkontraktuese kanë arritur të rikthehen në ambientet e tyre të punës.
Sipas tij, aktualisht po kryhet verifikimi i dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës së bllokimit.
Pacolli pretendon se dëmet përfshijnë inventar të specializuar të projektuar dhe instaluar për funksionimin e aeroportit, si dhe pajisje, instrumente dhe mjete pune në pronësi të kompanive nënkontraktuese. Ai akuzon grupe kriminale për vandalizëm, vjedhje dhe shkatërrime, duke theksuar se këto veprime kanë vijuar për më shumë se dhjetë muaj.
Sipas tij, më shqetësues mbetet fakti se aktiviteti i këtyre grupeve dyshohet të jetë mbështetur ose toleruar nga individë të lidhur me institucione shtetërore, ndërsa në raste të caktuara është tentuar edhe ndikimi mbi proceset gjyqësore.
Për këtë arsye, Pacolli i bën thirrje publike SPAK që të nisë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.
Ai kërkon që të identifikohen dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë, pa dallim pozite apo ndikimi, duke argumentuar se ngjarjet kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton mbrojtjen e investimeve.
Në përfundim të reagimit të tij, Pacolli u bëri thirrje institucioneve kompetente të marrin masa për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve dhe kompanive kontraktuese, ndërsa theksoi se MABCO do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj ligjore dhe pronën e saj përmes rrugëve ligjore.
Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.
Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese. Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve.
Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sot, në emër të ligjit, të drejtësisë dhe të besimit që qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë tek institucionet e shtetit, i bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë.
Është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda, të cilat kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e investimeve.
Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë.



