
Shqiptari i njohur për mënyrën e arratisjes së tij nga burgu, është kapur “mat” nga efektivët grekë teksa udhëtonte i lirë me makinë luksoze. Sipas mediave greke, një makinë tip “BMW” me xhama të zinj i ka tërhequr vëmendjen policisë në Lamia, në kryqëzimin e Qipros dhe G. Plati.
Skuadra e ndërhyrjes së shpejtë ka kërkuar nga pasagjerët të dalin jashtë me duart lart. Sapo personat kanë dalë, policët dhe qytetarët prezentë janë habitur. Një ndër tre personat që ndodheshin në makinë ishte edhe shqiptari Alket Rizai. Por si gjendej ai jashtë burgut?
Sipas mediave vendase, Rizai kishte marrë leje nga burgu i Domokos dhe qarkullonte i lirë. Bashkë me të ishte një shtetas grek, shumë i njohur në jetën e natës. Megjithatë kontrolli nuk doli pa gjë. Personi i tretë, rezultoi një shqiptar i shumëkërkuar. Konkretisht ky i fundit, rezultoi me kartelë të kuqe, i kërkuar për vrasje.
36-vjecari shqiptar rezulton i kërkuar edhe për vepra të tjera. Ai u shoqërua në rajonin e Fthiotidas, ku mbërriti një grup special nga Athina që e mori në dorëzim. Greku me Rizain ishte Vasili Varelas, edhe ky me leje për të qarkulluar lirshëm.

Sipas autoriteteve greke, Varelas është një nga kriminelët më të njohur grek, personi që në 2011 dha urdhër të ekzekutoheshin babë e bir shqiptarë Fillim dhe Oligert Mesaja. Rizai dhe Varelas dolën me leje pasditen e së premtes për 5 ditë. Varelas ka qenë dublant i Jack Norris në Hollivud.
Kush është Alket Rizai
Alket Rizai ka lindur me 24 maj 1978 ne Ballsh. Në moshën 16 vjeçare u largua për në Greqi për të punuar. Është bërë i njohur si shqiptari që është arratisur dy herë nga burgjet greke me helikopter. Ai ishte më i vogli i tre djemve dhe ka qenë një fëmijë i bindur. Kishte një pasion të veçantë, të cilin ndoshta mund ta shndërronte në profesion nëse e ardhmja e tij do të ishte ndryshe: elektronikën.
I zbërthente pajisjet elektronike dhe i montonte sërish që në moshën 10-vjeçare. Vitet e para të fëmijërisë Alketi i kaloi në fshatin Kalenjë, te dajat e tij. Gjashtë vjeç është kthyer në qytetin e lindjes për të nisur klasën e parë. Shkollën e mesme nuk e ka përfunduar, është larguar për në Greqi. Alketi përveç gjuhës shqipe flet 5 gjuhë të huaja.
Pas arratisjes nga burgu në vitin 2006, Alket Rizai dhe Nikos Palekostas u kapën shpejt, por Vassilis u zotua që do e vazhdonte historinë e tij të krimeve. Më 9 qershor 2008, ai rrëmbeu George Mylonas, një miliarder- manjat alumini, që kishte zemëruar të varfrit në vend duke deklaruar se “punëtorët duhet të shtrëngojnë rripat”. Por Mylonas tha për rrëmbyesit e tij: “Ishin të sjellshëm dhe më trajtuan mirë”, ndërsa shuma që kërkohej për lirimin e tij ishte 12 milionë euro.
Në fakt autoritetet greke arritën që ta gjurmojnë Paleokostas në shtëpinë ku mbahej Mylonas. Atje, më 2 gusht 2008, ndërkohë që i arratisuri po pinte një gotë me alkool dhe po bëhej gati që të shihte diçka në DVD, një skuadër e forcave speciale hyri me forcë duke shkatërruar derën.
Policia gjeti një kopje të filmit të Al Pacino, “Heat”, që tregon historinë e dy veteranëve në vjedhjen e bankave, që shmangin policinë. Ai kishte qenë 791 ditë në arrati kur u kap dhe policët ishin të lumtur.
“Kapja e shpejtë e Vassilis Paleokostas, një nga kriminelët më famëkeq në vend, është një shtysë e nevojshme për moralin dhe imazhin publik të policisë greke,” thuhej në një kabllo të konsullatës amerikane në Selanik për Sekretarin e Shtetit në Uashington, publikuar më vonë nga Wikileaks.
Nuk dihet se si i shpenzonte Paleokostas paratë e marra, por në një seancë gjyqësore ndaj tij në vitin 2009 në Athinë, ku u ngritën akuza të reja për rrëmbim dhe grabitje, një turmë u mblodh jashtë gjykatës.
Një grup me vajza të reja pushtuan sallën e gjyqit, duke u sjellë si një klub fansash të një idhulli të muzikës pop, siç do shkruante më vonë një gazetë tabloide. Në këtë kohë, e dashura magjepsëse e Alket Rizait, Soula Mitropia, bëri bujë në sallën e gjyqit.
Ndërkohë që Rizai kthehej në gjykatë për t’u dënuar me 25 vite, ajo në mënyrë teatrale nisi të dëneste dhe i hodhi krahët rreth tij. Kur askush nuk po shihte, ajo i futi një orë misterioze në xhep.
Arratisja e dytë po me helikopter
Për rojet që po shihnin kamerat e sigurisë, ai mëngjes ishte si çdo mëngjes tjetër. Paleokostas po bënte palestër dhe Rizai po përzgjidhte fituesit në një lojë me baste. Rizai kujton: “Jam një njeri që ka intuitë. I ndjej gjërat, kur diçka e mirë do të ndodhë, e ndjej”.
Në orën 15:00, Mitropia i telefonoi në orën- celular që i kishte futur në xhep kur ishin në gjykatë. Ishte momenti. Sirena e urgjencës në burgun Korydallos nisi të vajtonte si një violinë, ndërkohë që rojet urdhëruan të burgosurit të futeshin brenda. Ishte ora 15:45, një ditë përpara se të niste gjyqi ndaj Paleokostas.
Sipër në qiell, një rojë nga kulla po ndjente zhurmën e helikave. Kur helikopteri u ul në krahun e djathtë të brugut, roja kapi automatikun dhe i ra alarmit. Nuk ishte një stërvitje, këtë herë ata duhet të qëllonin për të vrarë. Helikopteri ishte rrëmbyer nga një kompani e quajtur Interjet, që ofronte helikopterë me qira, arratisje që rezultoi e suksesshme.



