Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, thotë se marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane duhet diskutuar në një plan më të gjerë sesa atë humanitar. Në studion e lajmeve në MCN TV, Mediu tha se marrëveshja sjell me vete edhe rreziqe për të cilat Shqipëria nuk është e përgatitur.
Këto çështje nuk janë thjesht humanitare. Janë edhe çështje siguri dhe çështje të ekonomisë. Duke qenë të tilla kanë nevojë për diskutim më të gjerë. Çështja e emigracionit është ndër më të mëdhatë me të cilat ndeshet bota dhe Europa. Ne nuk e dimë se kush hyn e kush del. Ata që kryen aktin terrorist në Francë kanë kaluar përmes kufirit grek. Nuk kemi struktura të forta sigurie në Shqipëri. Ne nuk jemi republikë kryeministore apo presidenciale. Jemi republika parlamentare, ndaj duhet diskutim më i gjerë. Duhet parë në thelb marrëveshja vetë. Në veriun e Afrikës veprojnë grupe terroriste. Duhet të jemi më seriozë në analizën tonë. Mendoj se është vendim i Ramës, pa ndonjë analizë të thellë të mëparshme.
Në lidhje me gjetjet e progres-raportit të KE, Mediu tha se vëmendja duhet përqendruar te problemet.
Raporti ngre shqetësime serioze sa i takon kushtetueshmërisë. Shqipëria duhet të lexojë problemet. Ne jemi kthyer në një vend nga ku shqiptarët largohen çdo ditë. Realiteti europian është jashtëzakonisht larg. Jemi në fazën më problematike të historisë tonë kombëtare. 35% e popullsisë jeton jashtë shtetit shqiptar.



