Mbahen sot në Himarë zgjedhjet për kryebashkiakun i cili do të drejtojë bashkinë, ku garojnë përballë njeri tjetrit kandidati i mazhorancës Vangjel Tavo dhe ai i opozitës i propozuar nga PBDNJ, Petro Gjikuria.
Në Himarë, pas orës 07:00 të mëngjesit kanë mbërritur edhe votuesit e parë të cilët me anë të votës do të zgjedhin kreun e ri.
Sipas të dhënave janë 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote. Procesi i votimit ka nisur në ora 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Përgjatë gjithë territorit të kësaj bashkie janë 36 qendra votimi. Deri me tani nuk raportohen problematika veç vonesave për nisjen e procesit të votimit në afro 9 qendra votimi për shkak të mos bërjes gati të bazës materiale për të votuar në kohë.
Në fshatin Kondraq, Dhërmi të bashkisë Himarë, por jo vetëm në të edhe në shumë qendra të tjera votimi si Himara fshati, Vuno, Borsh etj., ka një interes të lartë të qytetarëve në këto orë të para për të ushtruar të drejtën e votës.
Policia njoftoi se mëngjesin e sotëm të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.
Punonjësit e policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e policisë.



