Sulmet e fundit ndaj faqeve të agjencive qeveritare penguan funksionimin e tyre, ndërsa AKSHI përmes një deklarate specifikoi se bëhej fjalë për sulme të natyrës DDOS. Por për ekspertin e IT, Endri Meksi, një deklaratë e tillë është e pamjaftueshme dhe aspak transparente, në ndryshim nga praktika që ndiqet në Perëndim në raste të tilla.
Sulmi i AKSHI solli si efekt anësor rritjen e rrogave të IT. Shpresoj të ndikojë për mirë në rritjen e profesionistëve të mirë. AKSHI deklaroi se jemi para një rasti DDOS, pra trafik që pengon funksionimin. Në botë ka plot kompani që ofrojnë shërbime për mbrojtjen nga sulme të tilla. Pse nuk e bën AKSHI transparent informacionin në lidhje me këto sulme? Kjo është kundër filozofisë së ndjekur në Perëndim, ku informacioni i kësaj natyre shpërndahet që në krye të herës. Duhej të kishte të dhëna numerike për sulmin, në mënyrë që të analizohej dhe të hartoheshin strategji mbrojtëse. Nëse është sulm me 30-40 gigabit/sek është turp i madh që të mos kemi mbrojtje në Shqipëri.



