Një deklaratë e orëve të vonë të mbrëmjes së të martës i ka kushtuar postin ministrit të Brendshëm të Kosovës, Agim Veliu. Ky i fundit doli kundër qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtoi se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Kjo solli vendimin e kryeministrit për shkarkimin e tij.
“Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, njoftoi Kurti.
Por shkarkimi i ministrit Veliu duket se ka krijuar një përplasje me aleaten LDK, nga radhët e së cilës vjen ai. Kurti i ka kërkuar Isa Mustafës një emër të ri për postin e ministrit të Brendshëm, funksionet e të cilit përkohësish po i ushtron Xhelal Sveçla, aktualisht zëvendësministër.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar shkelje të marrëveshjes së koalicionit vendimin e kryeministrit Kurti.
“Kurti nuk është konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njeanshëm, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit dhe i papranueshëm për LDK-në”, ka thënë Mustafa.



