
Për dallim nga vendet e tjera të botës që po luftojnë për vaksinimin e qytetarëve, izolimin, valën e re të epidemisë me variantet e reja të coronavirusit, një shtet i vogël ishullor jeton pothuajse sikur të mos ekzistonte fare Covid-19.
Nxënësit janë në bankat e tyre shkollore, kafeteritë dhe restorantet janë të hapura e turistët gjithmonë të mirëpritur.
Bëhet fjalë për Islandën që falë programit të suksesshëm të testimit dhe vaksinimit, qeverisë transparente dhe qytetarëve të disiplinuar, ka arritur ta vë nën kontroll pandeminë dhe t’i rikthehet rimëkëmbjes ekonomike.
Nga fillimi i pandemisë, në Islandë janë të regjistruar vetëm 29 të vdekur dhe 6.083 të infektuar me Covid-19. Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), për të 14-ën ditë numri i të infektuarve në 100 mijë banorë është vetëm 4.12, derisa përqindja mujore e rasteve të reja me coronavirus në Evropë sillet rreth 300. E përqindja e vdekjeve si pasojë e Covid-19 prej javësh është zero.
Ekzistojnë disa faktorë të rëndësishëm që kanë çuar në këtë drejtim, që Islanda kurrë nuk është detyruar t’i nënshtrohet masës së izolimit, kurse kufijtë e saj i ka hapur për turistët nga mesi i qershorit të vitit të kaluar.
E faktori me sa duket më i rëndësishmi ishte izolimi. Ky shtet ishullor gjendet në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik me një popullsi prej rreth 350 mijë banorë, dhe përparësitë natyrore konsiderohen si bonus kur bëhet fjalë për menaxhimin e pandemisë.

Megjithatë ata që janë vaksinuar plotësisht apo që janë infektuar më herët me Covid-19, nuk kanë nevojë të karantinohen. Islanda deri më tani ka vaksinuar afro 13 mijë banorë, e rreth 34 mijë tjerë kanë marrë të paktën njërën dozë, kurse pritet që edhe 21 mijë tjerë t’i nënshtrohen procesit të vaksinimit.
Por pavarësisht suksesit, ky vend është i kujdesshëm dhe paralajmëron se gjërat shpejt mund të ndryshojnë.



