
Viti kur vrasjet në Shqipëri arritën kulmin është 2013-ta. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj teksa tregoi se viti 2021 ka kurbën në rënie për sa i takon vrasjeve.
“Kemi pasur tregues pozitivë në goditjen e krimit të organizuar dhe trafikun e drogës. Në vitin 2013-të ka qenë kulmi i krimeve në Shqipëri, duke marrë parasysh shifrat. Për vitin 2021 kurba e grafikut të krimeve janë në rëne të ndjeshme”, tha Dervishaj.
I pyetur lidhur me mënyrën se si e masin suksesin për punën e tyre, Dervishaj tha se ka një drejtori që mat performancën e drejtorive dhe ndër treguesit kryesorë lidhur me vlerësimin e punës është edhe parandalimi i krimeve.
“Ne kemi matës me efektet parandaluese dhe pastaj me forcën zbuluese. Kemi raste kur krimet parandalohen dhe autorët kapen në flagrancë, qoftë të krimit në familje apo të vjedhjeve. Ne kemi një drejtori që bën performancën e drejtorive dhe ndër treguesit kryesor është edhe parandalimi i krimeve. Kriminaliteti ka rënie të ndjeshme. Krimi kibernetik ka pasur një rritje të ndjeshme, ndoshta edhe për shkak të pandemisë”, tha zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.



