Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se shqetësimi kryesor i diplomacisë së Kosovës është fakti sesi mund të lexohet në Beograd afrimi kaq i shpejtë i Shqipërisë me Serbinë, nisur edhe nga fakti që qeveria e Serbisë bëri publik planin e ri që flet për dialog shqiptaro-serb, duke mos përmendur Kosovën.
“Kemi shqetësim sesi Beogradi mund ta interpretojë afrimin e Shqipërisë me shpejtësinë që po ndodh kjo nga kryeministri Rama. Serbia është e interesuar që të ketë një dialog shqiptaro-serb, kurrë nuk ka qenë e interesuar që të ketë një dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Deklarata ime ka qenë edhe një porosi për Beogradin dhe për partnerët tanë që politikën e kushtëzimeve ta vazhdojnë”, deklaroi Hoxhaj në emisionin “Top Story” në TCH.
Ministri shtoi se Shqipëria ka dhënë dhe po jep një ndihmë të vyer për Kosovën dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në të shkëlqyera.
Qëndrimin e mbajtur nga Rama në Beograd, Hoxhaj e cilësoi shumë dinjitoz. Ai tha se roli i Shqipërisë për Kosovën është dhe do të jetë i patjetërsueshëm. Lidhur me votën jo anëtarësimit në UNESCO, ai nuk e quajti dështim.
“Dështimi në UNESCO nuk ishte faji i Shqipërisë. Ministri Bushati bëri një punë të shkëlqyer. Ka patur mundësi që të bëhet më shumë dhe Shqipëria ka dhënë ndihmën e saj të madhe, përfshirë edhe së fundmi në samitin e NATO-s në Varshavë, për të avancuar në një fazë tjetër marrëdhënien mes Kosovës dhe NATO-s”, tha ai.
Kosova, shtoi Hoxhaj, ka një identitet politik e shtetëror të vetin, ndërsa sa për identitetin kombëtar ajo është shqiptare. Ai pati edhe një këshillë për politikën e jashtme të Tiranës.
“Shteti shqiptarë duhet të rimendojë politikën strategjike dhe Tirana duhet të kultivojë marrëdhënie më të ngushta me Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën. Është në interes të Shqipërisë dhe Kosovës që të ketë një Maqedoni stabël dhe demokraci të fortë. Është në interes të shqiptarëve që të mos ketë një kufi mes Greqisë dhe Serbisë ”, tha kryediplomati i Kosovës.



