
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, z.Asim Vokshi.
Kryetari i Shtetit, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Asim Vokshi si anëtari më i ri në Gjykatën e Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Me dekretimin e Vokshit që vjen nga radhët e gjyqtarëve numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që janë emëruar shkon në 9, duke e çuar drejt funksionimit, teksa numri i dosjeve që presin për gjykim është me mijëra. Gjykata e Lartë duhet të ketë në total, 19 gjyqtarë.
DEKRET
PËR
EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË
Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 23.07.2021, të propozimit të përcjellë me shkresën me nr. 3504/2 prot., datë 22.07.2021 dhe Vendimit nr. 322, datë 22.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Asim Vokshi”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 245, datë 9.07.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të:DEKRETOJ:
Neni 1
Zoti Asim Vokshi emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.Nr. Dekretit 13188
Tiranë, më 29.07.2021PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META



