Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dalë në protestë ditën e sotme, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për punë me detyrim në Shqipëri për 5 vite dhe më pas iu lind e drejta të tërheqin diplomën, si mënyrë për të frenuar largimet. Studentët kanë marshuar nga Rektorati për të vijuar para Parlamentit, ku po mbahet seanca e sotme parlamentare, për të kërkuar anulimin e vendimit. "Bashkohuni me ne", kanë thirrur studentët në kor, një pjesë e të cilëve të veshur me bluza të bardha. Duke folur për mikrofonin e MCN Tv, një nga studentët tha se “Protestoj për të drejtën time, mbi të gjitha po e paguajnë tarifën prindërit tanë. Kushtëzimi i Kryeministrit është shumë i padrejtë”. Një tjetër student deklaratën e Kryeministrit e cilësoi si të palogjikshme, referuar edhe faktit se kush refuzon kushtëzimin do e paguajë tarifën 13-fish më shtrenjtë.



