Të gjithë i kemi hasur në rrjetet sociale fotot poshtë të cilave na kërkohet të shkruajmë “Amin” apo “nuk do ta pëlqesh nëse nuk ke zemër”. Çfarë fshihet pas kësaj kërkese për më shumë pëlqime dhe komente?
E vërteta është se asnjë jetë nuk mund të shpëtohet me një pëlqim apo me fjalën amin. Pavarësisht dëshirës së mirë, nëse e bëni këtë, ju po ndihmoni mashtruesit të bëjnë para.
Këto postime manipuluese janë krijuar për të bërë njerëzit t’i pëlqejnë, shpërndajnë apo komentojnë ato, që praktikisht do të thotë më shumë ndjekës në faqe. Krijuesit e faqes shpërndajnë reklamë dashakeqëse, viruse dhe mashtrime kompjuterike. Në këtë mënyrë, ata arrijnë të kenë akses në të dhënat e personit që angazhohet në këto postime, si ditëlindja, emaili etj., të cilat mund të shërbejnë për të hyrë në llogarinë e tij.
Nëse këto foto shpërndahen nga përdoruesit, rritet popullariteti i faqes që i ka publikuar. Kjo bën që krijuesi i faqes të fitojë para duke përdorur p.sh. imazhin e një fëmije të sëmurë, familja e të cilit mund të mos ketë asnjë dijeni për këtë fakt.
Pra, nëse bëni like ose shkruani amin, nuk po i shpëtoni jetën askujt. Thjesht po përdoreni pa e ditur për t’i mbushur xhepin me para një njeriu që ka gjetur një mënyrë për të fituar para.



