
Pedagogu i Arteve Ardian Isufi e konsideroi “një kockë” dhe të pamjaftueshme vendimin e qeverisë për rritjen me 7 për qind të pagave të pedagogëve.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Isufi theksoi se qeveria duhet të plotësojë 9 pikat e parashtruara nga pedagogët.
Ai paralajmëroi se protestës së pedagogëve që pritet të kulmojë me bojkot, do t’i bashkohen edhe studentët. Isufi tha se qeveria duhet ta shohë arsimin si prioritet kombëtar dhe të mbajë premtimin për t’i dhënë si buxhet 5 për qind të GDP-së.
Lëvizja jonë vazhdon. Vendimi i qeverisë është si të thuash një kockë, se sa shqetësimi real që kanë pedagogët në universitete. Janë 9 pika, që e kanë shumë të qartë çështjen e rritjes së pagave. Rritja 7 për qind, jo vetëm është e pamjaftueshme, por është si të mos marrësh në konsideratë gjithë ato shqetësime që kanë pedagogët. Protesta jo vetëm do vazhdojë. Çdo ditë e më shumë, ka gjithnjë e më shumë pedagogë që i bashkohen. Janë 70 për qind që e kanë firmosur peticionin. Edhe pedagogë të tjerë që s’e kanë firmosur, për shkak sigurie të vendit të punës, janë pro protestës. Kjo është çështje e dinjitetit të pedagogëve në radhë të parë. Sot modeli i mësuesit ka rënë, fatkeqësisht. Kjo qeveri e ka zhbërë figurën e mësuesit. Së pari kërkohet dinjiteti i mësuesit, që me rritjen e pagës patjetër do ketë më shumë vlerë. Krahasimet janë bërë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk kemi krahasime me BE-nç, Anglinë, apo Amerikën. Edhe pse mund të rritet 50 për qind, sërish paga mesatare do jetë më e vogël se e një lektori në Kosovë dhe akoma më e pakët se e një lektori në Maqedoninë e Veriut. Do ishte esenciale kjo rritje. Qeveria s’duhet t’i shohë sindikatat dhe pedagogët si kundërshtarë, por duhet t’i shohë si partnerë. Nuk po kërkohen siç thotë kryeministri ‘qiqra në hell’, por disa qiqra që duhet të ishin bërë me kohë. Kemi edhe një element tjetër. Ka një ikje që po ndodh nga të rinjtë shqiptarë. Kjo ikje po ndodh për shumë fenomene social-shoqërore. Kjo ngritje është një input shumë i mirë, për outputin nesër. Një pedagog nëse i shtohet buxheti i kërkimit shkencor, patjetër ka një cilësi më të mirë. Doktoratura ime personale ka shkuar mbi 8 milionë lekë të vjetra. Buxheti këtë vit është reduktuar për kërkimin shkencor. Nuk ka pikën e arsyes pse duhet të ndodhë. 13 milionë euro është shkurtuar buxheti i arsimit. Qeveria duhet ta shohë arsimin si prioritet kombëtar. Qeveria ta çojë 5 për qind GDP-në e buxhetit për arsimin”.
Isufi bëri me dije se më 14 tetor do të mbahet nga pedagogët një forum, si parapërgatitje për 17 tetorin, dita e nisjes së universiteteve, që pritet të bojkotohet.
Ministria e Arsimit vazhdon me batutat 7 për qind apo 8 për qind. Në 14 tetor kemi një forum, si parapërgëtitje për 17 tetorin, ditën e nisjes së universiteteve. Është një moment real bojkotimi që po mbështetet edhe nga studentët. Nuk është vetëm një çështje e pedagogëve dhe stafeve ndihmës akademike, por edhe shqetësim i studentëve. Nesër kjo qeveri do përballet edhe me thirrjen e studentëve. Ne vijmë nga një protestë studentësh dhe studentët sot po bashkohen sepse i kanë të parealizuara shumë nga çështjet e tyre. Ka një rrjedhje sepse nuk janë kushtet minimale që një i ri sot të jetojë me dinjitet në Shqipërinë tonë të dashur. Së pari duhet të plotësohen 9 pikat që janë shumë të rëndësishme. Së dyti është platforma e re e arsimit, ku një nga elementët është rritja e buxhetit të arsimit në GDP-në kombëtare. Element i rëndësishëm është rivlerësimi i orës mësimore, dhe krahasimet janë gjithmonë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut”.



