
Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për nder të ditës së Sulltan Nevruzit, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kreu i shtetit ndau me besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, urimet më të ngrohta për Festën e Sulltan Nevruzit, që shënon ditëlindjen e Imam Aliut.
“Në këtë ditë të rigjallërimit të natyrës dhe lindjes së shpresës, kur dita i merr natës dhe drita, errësirës, jam i bindur se pas një dimri të gjatë dhe të vështirë, Dielli po lind dhe do të lindë patjetër në zemrën e çdo shqiptari. Sepse Pranvera dhe Demokracia janë në sintoni të plotë me njëra-tjetrën”, tha Presidenti.
Në një prononcim për mediet nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Meta tha se “sot bashkohemi me lutjet e Kryegjyshit Botëror për shëndetin e çdo qytetari të vendit tonë”.
“Apeloj për të bërë kujdes sa më shumë dhe të jemi më optimistë për të ardhmen, më solidarë, më bashkëpunues, më tolerantë dhe më të dashur me njëri-tjetrin e mbi të gjitha të mbizotërojë dashuria për atdheun. Pranvera do të jetë e pandalshme dhe na ndihmon të gjithëve të jemi më optimist dhe të kemi më shumë besim te e ardhmja. Besoj se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe e kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”, tha Meta.



