Tre vite pasi u arrestua dhe vu në akuzë, ish kryekomunari i Kasharit Besnik Fuçia merr pafajësinë. “FactCheck” zbardh për herë të parë vendimin, ndërsa prokuroria e Tiranës ka dërguar çështjen në Apel duke kërkuar dënimin e tij.
U arrestua me bujë 3 vite më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ish kreu i komunës Kashar në qeverisjen e Partisë Demokratike merr pafajësinë.
“FactCheck” ka siguruar ekskluzivisht vendimin e pafajësisë së Besnik Fuçisë i cili u vu në pranga dhe përballë drejtësisë me akuzën e firmosjes së hipotekës për dy pallate duke shmangur një nga bashkëpronarët.
Por Gjykata Penale Tiranë ka vendosur t’i japë atij pafajësinë me argumentin se s’është detyrë e kryekomunarit dhënia e hipotekës për zyrës së regjistrimit të pronave dhe zyrës së urbanistikës së pushtetit lokal.
Vetë Fuçia përballw gjykatës ka argumentuar se ai ka firmosur vetëm shkresën përcjellëse në hipotekë si leja dhe kontratat e dy pallateve janë dhënë në një moment që ai s’ka qenë kryekomunar.
Ndërsa “FactCheck” mëson se prokuroria e Tiranës ka kundërshtuar këtë vendim duke kërkuar dënimin e Fuçisë dhe dosja aktualisht ndodhet në gjykatën e juridiskionit të përgjithshëm në Apel.



