
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka raportuar në Komisionin e Sigurisë lidhur me punën e Forcave të Armatosura për përballimin e përmbytjeve të javës së kaluar.
“Janë vënë në dispozicion gjithsej 2917 trupa dhe 544 mjete. Janë vendosur prita dhe ura për të parandaluar dhe lehtësuar gjendjen në zonat e prekura dhe ato të rrezikuara. Në Gjirokastër është hapur rruga nga ura e lumit – Gjirokastër. Në Tiranë është ndërhyrë në Qafë Kashar dhe në furnizimin me ujë të spitaleve në QSUT. Janë evakuuar në total 253 persona”, tha Koçi.
Ndërsa deputeti demokrat, Ervin Salianji, kërkoi informacion në lidhje me koston financiare të ndërhyrjeve si edhe vlerën e dëmeve.
“Sa para keni shpenzuar për dëmet e përmbytjeve? Sa banorë ka edhe sot të përmbytur, sa toka bujqësore janë dëmtuar? Sa janë vlerat e kostove? Do t’i përballojnë vetë qytetarët dëmet apo ju, si do ta bëni nëse do t’i dëmshpërbleni ju, pasi ju nuk shpallët as gjendjen e emergjencës”, tha Salianji.
Ndërsa zëvendësministri Koçi tha se nuk ka ende një faturë të dëmit. “Nuk u lavdëruam, por bëra vetëm një paraqitje të kontributit që ka dhënë Ushtria. Do të ketë një bilanc kur të kenë përfunduar të gjitha ndërhyrjet. Pra nuk ka asnjë përgjigje për totalin e kostove që u shkaktuan nga përmbytjet”, tha ai.



