Një ekip arkeologësh në Egjipt njoftoi se kanë gjetur 59 sarkofagë prej druri të ruajtura dhe të vulosura mirë, të varrosura mbi 2 500 vjet më parë në javët e fundit. Në njërin prej tyre, ekipi zbuloi mbetje të mumifikuara të mbështjella me qefin, me mbishkrime hieroglifike me ngjyra të ndritshme.
Zbulimi ndodhi në jug të Kajros, në Saqqara, nekropoli i kryeqytetit të lashtë egjiptian Memphis, vend i mbrojtur nga UNESCO.
Që kur u njoftua zbulimi i 13 arkivoleve të parë gati tre javë më parë, të tjerë janë zbuluar në puse në thellësi deri në 12 metra. Shumë të tjerë mund të jenë varrosur ende atje, tha ministri i Turizmit dhe Antikiteteve Khaled al-Anani.
"Ky nuk është fundi i zbulimit, unë e konsideroj atë më tepër fillimin e zbulimit të madh," tha ai. Sarkofagët, të vulosur më shumë se 2 500 vjet më parë, datojnë nga periudha e vonë e Egjiptit të lashtë, rreth shekullit VI ose VII para Krishtit, shtoi ministri.
Vitet e fundit, gërmimet në Saqqara kanë zbuluar objekte, gjarpërinj të mumifikuar, zogj, brumbuj dhe kafshë të tjera.
Studimet paraprake kanë treguar se sarkofagët me gjasë u përkisnin priftërinjve, burrave të lartë të shtetit dhe figurave të shquara në shoqërinë e lashtë egjiptiane të dinastisë së 26-të.
Të gjithë arkivolet do të merren së shpejti për të hapur Muzeun e Madh Egjiptian në pllajën e Gizës, më në fund tha Anani.
Hapja e Muzeut të Madh Egjiptian, e cila është shtyrë disa herë, është planifikuar për në vitin 2021. Muzeu do të strehojë mijëra objekte, duke përfshirë epoka të shumta në historinë e Egjiptit, nga periudha para-dinastike deri në periudhën greko-romake.



