Seanca plenare është shoqëruar me debate edhe në Itali. Deputetët demokrat gjuajtën me letra kryetarin e Dhomës së Ulët, Fico, pasi ky i fundit nuk përjashtoi një deputet të Lëvizjes 5 Yjet, që kërcënoi kolegun e tij.
Tensione edhe mes deputetëtve italianë në seancën e reformës së referendumit. Demokratët dhe Lëvizja 5 Yjet janë përplasur këtë të enjte në parlamentin italian. Shkak është bërë një gjest i deputetit të Lëvizjes 5 Yjet, Giuseppe D'Ambrosio, i cili ka kërcënuar deputetin demokrat, Xhenaro Miljore.
Pas këtij gjesti, deputetët e Partisë Demokratike në parlamentin italian kanë kërkuar që kryetari i Dhomës së Ulët, Roberto Fico, të përjashtojë nga seanca deputetin.
Fico nuk ka pranuar që të përjashtojë D'Ambrosion, por ai është mjaftuar vetëm me një paralajmërim. Kjo ka sjellë reagimin e demokratëve. Të cilët janë çuar nga vendi i tyre dhe janë drejtuar te kryetari i Dhomës së Ulët. Madje, ata kanë hedhur edhe letra në drejtim të tij.
Për shkak të kordonit të sigurisë, ata nuk kanë mundur të vijojnë më tej dhe kanë lënë sallën në shenjë proteste. Ndërkohë që deputetët e Partisë Demokratike u larguan nga Dhoma Përfaqësuesve duke hedhur të tjera letra në drejtim të kryetarit pas dështimit për të larguar nga salla D'Ambrosio, duke sjell një tjetër kaos brenda sallës, pasi presidenti Fico i tha atyre "lamtumirë". Shqyrtimi i projektligjit do të rifillojë të martën pasi seanca u ndërpre.



