Ndalohet njëri nga organizatorët e kontrabandimit nga Tunizia në Durrës, të 670 000 litrave naftë, ndërsa vijon në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të hetimeve në kuadër të operacionit “Ari i zi”, të zhvilluar në portin e Durrësit më datë 12.01.2025, nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe DVKM Durrës, ka vijuar puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ku u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, Eduard Skora, 59 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas u ndalua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.
59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Florian Bina (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues.
Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B., si dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



