
Policia e Maltës ka arrestuar 8 persona si të dyshuar për vrasjen e gazetares investigative dhe blogeres Daphne Caruana Galizia, një kritike e fortë e qeverisë vendase.
Të arrestuarit dyshohen nga policia si autorë të vendosjes së eksplozivit dhe më pas shpërthimit të makinës së gazetares më 16 tetor në Maltë.
Kryeministri Jozef Muskat konfirmoi ndalimin e tyre dhe tha se hetuesit kanë 48 orë kohë, për të hedhur dritë mbi dyshimet e tyre.
Sipas mediave vendase, të dyshuarit janë shtetas të Maltës dhe shumica prej tyre kanë të kaluar kriminale.
Gazetarja 53-vjeçare shquhej për shkrimet e saj investigative që hidhnin dritë kryesisht mbi aferat korruptive të kryeministrit dhe qeveritarëve maltezë, por edhe për lidhjet e tyre me skandalin "Panama Papers".
Qeveria ka ofruar 1 milion Euro për këdo që jep informacion të saktë mbi vrasjen dhe për të zbardhur ngjarjen, autoritetet vendase kërkuan ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, përfshi hetues të FBI-së.



