Një aksident i rëndë i mori jetën një personi në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Lushnjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:40, në autostradën Fier-Lushnje, në fshatin Ardenicë, Lushnje, pranë rrethrrotullimit të Kolonjës.
Një mjet ende i paidentifikuar ka përplasur për vdekje shtetasin Kimet Hoxha, 72 vjeç, banues në fshatin Ardenicë, i cili ishte duke ecur në këmbë.
Menjëherë pas aksidentit mjeti që e shkaktoi atë është larguar nga vendi i ngjarjes duke e braktisur viktimën në rrugë pa i ofruar asnjë ndihmë.
Policia dhe grupi hetimor të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes po punojnë për identifikimin e mjetit dhe të personit që e drejtonte si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



