Deputeti demokrat Gazment Bardhi thotë se protesta e 7 tetorit do të kryesohet nga Partia Demokratike.
Duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në MCN TV, Bardhi bëri të ditur se në protestë nuk do të ketë fjalime, por do të jetë një protestë qytetare e cila do të nisë nga kryeministria dhe gjatë saj qytetarët do të shprehin mos dakordësi.
Vetë lëvizja e një numri të konsiderueshëm njerëzish, patjetër që bllokon një numër të konsiderueshëm rrugëve në Tiranë.
Gjithçka do të nisë nga kryeministria, për tu shtrirë më pas në shumë zona të Tiranës.
Protestat janë mjet i shprehjes së mos dakordësisë në një situatë që nuk të pëlqen.
Mesazhi që përcjellin protestat është më i rëndësishëm se kohëzgjatja e tyre.
Edhe unë besoj që vetëm protestat nuk mjaftojnë për ta forcuar dhe sjellë opozitën në pushtet, por kur përballesh me padrejtësi duhet të reagosh.
Partia Demokratike përveç protestave dhe reagimit qytetar do të duhet ta shoqërojë me strategji tjetër, me hapjen e partisë dhe nxjerrjen e alternativës, nxjerrjen në kokë të ekipit për të forcuar më tej PD.
Lidhur me përjashtimin e grupit parlamentar të PD, pas djegies së karrigeve, ai tha se do paraqiten ditën e nesërme në seancë, pasi janë dënuar pa ligj.
Na kanë përjashtuar për ndezjen e tymueseve në Kuvend. Pata një lëndim në këmbë.
Në seancë shpreha indinjatën time për një veprim të paprecedentë të kryetares së Kuvendit për heqjen e mandatit të deputetit pa mbledhur asnjë strukturë të Kuvendit dhe pa pasur asnjë vendim të zbardhur.
Ndërsa për audio-përgjimin “Babalja” për të cilin u dënua me 1 vit burg kolegu i tij Ervin Salianji, Bardhi tha se është i vërtetë dhe e ka besuar që ditën e parë si të tillë.
Në ditën e procesit u tha se do shqyrtohet një provë e re e sjellë në gjykatë atë ditë nga Geron Xhafa.
Procesi ndaj Salianjit ishte i gjithi i montuar dhe gjyqtari në atë proces ishte Geron Xhafa.



