Pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit, LSI-ja do t’i nënshtrohet një procesi ristrukturimi. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI, Luan Rama bëri të ditura disa nga vendimet e marra në funksion të këtij ristrukturimi. Rama tha se Kryesia do t’i propozojë për miratim grupit parlamentar të LSI-së emrat e dy nënkryetarëve të rinj, Klajda Gjosha dhe Përparim Spahiu.
Ky i fundit u përjashtua nga LSI-sa në qershor të vitit të kaluar, pasi shprehu publikisht qëndrimin ndryshe në lidhje me reformën në drejtësi.
Në atë kohë, Spahiu u shpreh se nuk është gati të votojë ngritjen e një institucioni të ri në kuadër të reformës në drejtësi, që do të mbikëqyret nga ndërkombëtarët. “Nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?! E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE-në, shpresoj dhe me BE-në”, shkroi Spahiu.
Në shtator të vitit të kaluar, Spahiu ishte rivali i vetëm i Ilir Metës në zgjedhjet për kreun e ri të partisë. Meta u rizgjodh kryetar, ndërsa Spahiu rikandioi në qershor të këtij viti sërish në radhët e LSI-së dhe u rizgjodh deputet në qarkun e Dibrës.
Pjesë nga fjala e Luan Ramës pas mbledhjes së kryesisë së LSI
Ne do të nisim fazën e riorganizimit strukturor në të gjitha degët e vendit. Përgjegjësi ka grupi parlamentar që është më shumë në numër nga ai I mëparshmi, por edhe në kuptimin e cilësisë.
Kryesia miratoi të rekomandojë për grupin parlamentar dy nënkryetarë të grupit, Klajda Gjosha dhe përparim Spahiu. Sekretare e grupit parlamentar do të jetë Nora Malaj.
Zëvendëse e grupit do të jetë Floida Kërpaçi. Do të vijojmë traditën me veprimtari në shërbim të komunitetit duke evidentuar në këtë kontakst një angazhim më të madh të LRI.



