
Pas rrjedhjes së gazit nga tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, niveli i metanit në Suedi dhe Norvegji është në nivele rekord, sipas mediave të dy vendeve, të cilat flasin për një “re të madhe”.
Sipas një vlerësimi të publikuar nga instituti norvegjez i kërkimit Nilu, metani i çliruar nga rrjedhjet e gazit po lëviz me erën mbi disa rajone suedeze dhe norvegjeze, duke arritur në Britaninë e Madhe.
Sipas të njëjtave vlerësime, pothuajse 80 mijë ton metan kanë rrjedhur tashmë nga tubat e dëmtuar.
Indikacionet e fundit nga ekspertët janë se gazi po lëviz në veri dhe mund të arrijë mbi ishujt norvegjeze Svalbard brenda disa ditësh.
Megjithatë, autoritetet shpjegojnë se përqendrimi i lartë i metanit nuk paraqet rrezik serioz për njerëzit.
Nuk është i rrezikshëm për njerëzit. Nuk është gaz i ndezshëm në këto sasi. Është efekti klimatik për të cilin shqetësohemi.
Qeveritë e Danimarkës dhe Suedisë i kanë dërguar një letër të përbashkët Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke shprehur shqetësimin për pasojat e mundshme mjedisore dhe klimatike të derdhjeve të gazit në Detin Baltik.



