
Pjesëmarrja e politikës dhe forumeve të medias ka nxitur debat në nisjen e diskutimeve që u organizua nga shoqatat e gazetarëve për paketën antishpifje. Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, kërkoi largimin e aktorëve që nuk kishin lidhje me median në Shqipëri.
Gazetari Gjergj Erebara moderoi tryezën e thirrur duke prezantuar kërkesën e tyre ndaj qeverisë.
“Gazetarët shqiptarë, mediat shqiptare organizatat e medias dhe ato të shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë dhe pa negociata dy projektligjet e propozuara si paketa antishpifje. I bëjmë thirrje Kuvendit që nëse qeveria nuk i tërheq këto projektligje ti rrëzojë ato menjëherë dhe pa mëdyshje. Kemi problemin që qeveria është angazhuar në një fushatë antieuropiane, në kuptimin që Këshilli i Europës i thotë mos e bëj, por qeveria bën sikur nuk e dëgjon. Komisioni Europian i thoë mos e bëj”, tha Erebara
Në vijimësi të deklaratës janë propozuar korrigjimet e duhura me konsensus dhe shkëmbim mendimesh, për të bërë edhe aktin final të deklaratës që do t’u shkojë si mesazh qeveritarëve. Akademiku Apollon Baçe sugjeron përshkallëzimin e organizimit.
“Me këtë Parlament buratin që kemi ne, çfarëdo gjëje t’i çohet, padyshim që do ta votojë. Unë do ta shikoja problemin pak në mënyrë të ndryshme. Edhe mua më pëlqen atjo që thotë Çipa, që nuk është kjo. Kjo mbledhje e sotme ka atë formën e sapunit të Pilatit që lan duart. Bëmë një shkresë, e kundërshtuam dhe kaq. Duhet të jetë një frymë, duhet të jetë një aktivitet, i cili të mos ndalet me një shkresë që dihet se nuk do të merret fare parasysh”, tha Baçe.
Në fund të tyrezës, aktorët politikë nuk janë lejuar të japin mendimin e tyre sa i përket ligjit për mediat. Hapi i radhës do të jetë protesta e gazetarëve përballë Parlamentit, më datë 19 dhjetor, nëse nuk ka një përgjigje për tërheqjen e draft-ligjit.



