
Gazetari Mero Baze, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit, tha se ideja që grupet kriminale ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri është një legjendë urbane e ekzagjeruar, e përdorur si nga Edi Rama, ashtu edhe nga Sali Berisha, për interesa politike.
Baze tha se krimi nuk e fiton dhe nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, por politika ka krijuar një narrativë të rreme për të justifikuar humbjet apo për të rritur pushtetin e vet.
“Unë që e njoh mirë jetën politike dhe e di sa ndikojnë grupet kriminale, mendoj se nuk kanë ndikim real në rezultatin e zgjedhjeve, përjashto disa zona të Shqipërsië së mesme, ku ato mund të jenë fuqizuar, në kuptimin e të pasurit në kontroll një mijë apo dy mijë vota të njerëzve që punojnë apo janë të lidhur me enturazhin e tyre, nuk shoh asnjë grup kriminal me ndikim në veri apo jug të Shqipërisë, apo në Tiranë, që të vijë krimineli dhe të vendosë se si do të votohet.
Nuk njoh ndonjë territor gjeografik ku është Zot një kriminel dhe thonë, erdhi këtu dhe tha ky, dhe do të votohet ky. Është një legjendë urbane e fryrë edhe nga Edi Rama, edhe nga Sali Berisha, ndërkohë që element të lidhur me grupe kriminale, nëse arrijnë të targetojnë një territor te caktuar, kanë një lloj përfitimi nga ata, përshembull, nuk di të anatemoj dikë, por shtypi thotë që prokurori Ndoja nga PD dhe Sara Mila nga PS, janë të avantazhuar nga grupet kriminale.
Mendoj se është teprim për të dyja palët. Mendoj se edhe prokurori Ndoja, edhe kjo vajza që është e re, natyrisht duket që kjo vajza ka nga mbrapa faktorë të fuqishëm elektoralë, që mund të jenë biznesmenë të mëdhenj, njerëz të lidhur me familjen e saj, mund të ketë ndikuar përçarja brenda PD në Elbasan, për të kaluar votat nga një kandidat i PD te kjo, por nëse më gjeni një kriminel që merr 10 mijë vota, ma nxirrni ti bëjmë monument, nuk ka, nuk ekziston, është një legjendë urbane qesharake. Kriminelët në Shqipëri, kanë lidhje me politikën dhe pushtetin, por për përfitime kur janë në pushtet."



