
Një trup i formuar dhe muskulor është bërë sot mania e shumë personave. Por, teksa kërkojnë gjithmonë më shumë gjatë ushtrimeve, shumë prej tyre nuk kuptojnë se palestra mund të kthehet në një rrezik serioz për shëndetin.
Trajnerët personalë Elvana Ligu dhe Remil Peqini, të ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, duke marrë shkas nga lajmi i fundit që tronditi botën e fitnesit, ku një instruktor humbi jetën pas një sfide për të shtuar peshë, dhanë këshilla se si të ndërtojmë një trup të shëndetshëm me ushtrime dhe ushqim të kontrolluar.
Elvana Ligu
Lajmi se një person mund të shtojë 22 kg brenda një muaji është i pabesueshëm dhe absolutisht jo normal.
Edhe nëse dikush dëshiron të shtojë peshë, supozohet që të jetë një peshë e shëndetshme, më shumë muskuj dhe jo dhjam. Trupi ka kohën e vet, procese fiziologjike dhe ritme të përshtatjes. 22 kg në një muaj nuk janë masë muskulore, sepse trupi nuk funksionon kështu.
Edhe nëse nuk kemi probleme të menjëhershme, ato do të shfaqen më vonë.
Ajo shtoi se koncepti i “abuzimit me peshat” po keqkuptohet.
Një person që nuk përdor steroide nuk e përballon fizikisht dot abuzimin me stërvitjen. Shpesh abuzimi vjen nga ushqimi i keq, ngrënia ‘pisët’. Trupi ka nevojë për nutrientë, jo për kalori bosh.
Nëse ushqehesh siç duhet, trupi rikuperohet dhe funksionon normalisht.
Gjumi cilësor është po aq i rëndësishëm.
Është e pamundur të hash me kilogramë ushqim çdo ditë për të shtuar peshë, përveç në rastet kur abuzohet me steroide.
Po krijohet një psikologji e sëmurë: njerëzit ndërtojnë trup, nxjerrin foto dhe kërkojnë klientë, por kjo nuk i ndihmon ata që duan të stërviten natyralisht.
Remil Peqini
Kam 17 vite përvojë dhe ndodh që u them klientëve se sa është minimumi i peshës që një person mund të shtojë. Varet nga organizmi, ka organizma që shtojnë më shumë, ka që shtojnë më pak.
Por sigurisht që nuk mund të jetë e shëndetshme një peshë shumë më e madhe sesa mund ta përballojë trupi ynë.
Kur marrim shumë kalori, trupi nuk punon thjesht për të shtuar peshë.
Të gjitha organet punojnë në maksimum si mëlçia, veshkat dhe sidomos zemra, e cila mund të shkojë deri në rrezik për jetën.Trupi ka një limit. Nëse e kalon atë limit, nuk mban më.
Ai sqaroi se peshë duhet shtuar vetëm me ushqime të shëndetshme.
Nëse konsumon ushqim të pastër, nuk mund të shtosh masë muskulore të madhe në një kohë të shkurtër.
Maksimumi që një person mund të shtojë muskul në vit është rreth 2.5 kg me steroide, dhe vetëm 1.5 kg masë muskulore të pastër pa steroide.



